Vendi

Rama refuzon të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, ja çfarë u diskutua në takimin me ministrat

Ndërsa qindra familje dhe biznese në mbarë vendin, veçanërisht në Qarkun e Durrësit, përballen prej ditësh me pasojat shkatërrimtare të përmbytjeve, Kryeministri Edi Rama ka mbledhur Shtabin e Emergjencave Civile nga komoditeti i zyrës së tij. Pas disa ditësh heshtjeje dhe kthimit nga jashtë shtetit, kreu i qeverisë ka folur për situatën, por pa shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore dhe duke lënë të paqartë fatin e dëmshpërblimeve për qytetarët e dëmtuar.

Gazetarja Ambrozia Meta në raportimin e saj shprehet se gjatë mbledhjes, ku ministrat raportuan për dëmet e shkaktuara, Kryeministri Rama refuzoi kërkesën e opozitës për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë, masë e cila do ta detyronte ligjërisht qeverinë të kompensonte plotësisht dëmet. Edhe pse premtoi se do të ketë dëmshpërblime, ai nuk dha asnjë shifër konkrete dhe nuk sqaroi nëse qytetarët do të kompensohen 100%.

Sipas gazetares në vend të një zgjidhjeje, Rama zgjodhi të sulmojë opozitën, duke i quajtur thirrjet e saj “përçarëse”, dhe gjeti fajtorët te vetë qytetarët, duke pretenduar se hedhja e mbeturinave ka shkaktuar bllokimin e kanaleve dhe rrjedhimisht përmbytjet.

Meta shprehet se në krah të kryeministrit, aktive në terren dhe pjesë e mbledhjes, është shfaqur edhe Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. Prania e saj vjen në një kohë delikate, pasi SPAK ka kërkuar prej më shumë se tri javësh heqjen e imunitetit të saj për ta arrestuar nën akuzën e shkeljes së barazisë në tendera në 11 episode, përfshirë atë të tunelit të Llogarasë.

Mazhoranca socialiste ka fituar kohë duke shmangur mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ndërsa Rama duket se e mban afër numrin dy të qeverisë, duke e angazhuar në menaxhimin e krizës së përmbytjeve.

Menjëherë pas takimit për emergjencat, Kryeministri Rama ka nisur një mbledhje informale me kabinetin qeveritar në një rezidencë në periferi të Tiranës, e njohur si “Vila e Kuqe”. Mbledhja, e cila pritet të zgjasë gjithë ditën, ka në fokus vendosjen e objektivave të qeverisë për vitin 2026. Ky “tërheqje” qeveritare vjen në një kohë trazirash politike, ndërsa pritet që fati politik i Zëvendëskryeministres Balluku të jetë një temë qendrore në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, të paralajmëruar për më 16 janar.

Meta:

Në fakt, pas disa ditësh kur vendi ka qenë në një situatë të jashtëzakonshme si pasojë e rreshjeve të cilat shkaktuan përmbytje dhe qindra banesa, gjithashtu biznese kanë qenë nën ujë. Kryeministri Edi Rama vetëm përgjatë mëngjesit të sotëm ka folur për situatën e krijuar për shkak të përmbytjeve, duke mos pranuar në fakt të shpallë edhe gjendjen e fatkeqësisë natyrore, e cila do ta detyronte qeverinë më pas që t’i dëmshpërblente plotësisht banorët dhe qytetarët për dëmet që ata kanë pësuar nga këto përmbytje.

Kështu, rreth orës 8:30 të mëngjesit, Edi Rama ka mbledhur shtabin e emergjencave civile, ku në fakt të gjithë ministrat kanë raportuar për dikasteret përkatës, për situatën e përmbytjeve aktualisht në vend, për numrin e banesave dhe bizneseve të cilat ndodhen nën ujë dhe gjithashtu dëmet materiale të cilat janë shkaktuar për shkak të këtyre përmbytjeve.

Por pa thënë në fakt, megjithëse Rama shprehur se do të ketë dëmshpërblime për qytetarët, ai nuk ka thënë se në çfarë shifrash do të jenë këto dëmshpërblime, pra nëse ata do të kompensohen 100% për dëmet që kanë pësuar, të cilat kanë qenë të shumta për shkak se pjesa më e madhe e tyre kanë pasur humbje të konsiderueshme për shkak të shirave të cilët kanë rënë në vendin tonë përgjatë ditëve të fundit.

Nga ana tjetër, ajo që është vënë re është edhe fakti që në një situatë, në fakt, kur tashmë qeveria Rama akuzohet për disa afera korruptive dhe SPAK është duke hetuar një sërë dosjesh, duke lidhur me ato që përfshijnë zv/kryeministren Belinda Balluku. Kjo e fundit është shfaqur përgjatë dy ditëve të fundit në inspektime në terren dhe ka qenë gjithashtu pjesë e mbledhjes që është zhvilluar mëngjesin e sotëm, duke raportuar për situatën e aseteve në Republikën e Shqipërisë, duke bërë një bilanc pra, sa i përket pikërisht çështjes së përmbytjeve.

Kështu, në një kohë kur SPAK prej më shumë se tre javësh i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit Belinda Ballukut, në mënyrë që të procedohet me arrestimin e saj, duke e akuzuar për shkelje të barazisë në tendera në të paktën 11 episode, duke nisur nga nga tenderi i tunelit të Llogarasë. Në një situatë të tillë duket se kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që ta ketë përkrah dhe Belinda Balluku të vijojë jo vetëm të jetë në zyrat e shtetit, por gjithashtu duke qenë edhe në krye të një situate siç është ajo e përmbytjeve dhe duke vijuar punën në dikasterin që ajo mbulon përkatësisht në Ministrinë e Energjisë dhe të Infrastrukturës dhe gjithashtu të gjitha punët e tjera që ka në ngarkim zv/kryeministrja.

Në një situatë të tillë, në fakt, kur kryeministri Edi Rama do të duhej që t’u jepte qytetarëve siguri, por gjithashtu do të duhej t’i jepte dhe një zgjidhje për dëmet që ata kanë pësuar, Rama është mjaftuar duke thënë se ata do të marrin një dëmshpërblim, por pa përcaktuar dhe për pjesën tjetër të fjalimeve të tij, ai ka sulmuar opozitën duke thënë, gjithashtu duke i kthyer në fakt përgjigje edhe kërkesës që Partia Demokratike po bën tashmë prej ditësh për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore që do të çonte në një dëmshpërblim të plotë për të gjithë qytetarët të cilët kanë pasur dëme nga këto përmbytje.

Rama në fakt është shprehur se një gjë e tillë, pra shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, nuk do ta qetësonte situatën ose nuk do të ishte zgjidhja e duhur, por sipas tij këto janë thirrje të cilat në një farë mënyre krijojnë ndasi, megjithëse në fakt bie ndesh në një farë mënyre me propagandën e qeverisë së tij. Kështu, Rama gjithashtu ka bërë sulme politike për kundërshtarët e tij duke, duke u munduar në fakt të justifikojë edhe mënyrën se si qeveria ka përballur përmbytjet e ditëve të fundit, duke kthyer përgjigje në fakt edhe për akuzat që Partia Demokratike dhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka bërë duke thënë se nuk punojnë hidrovoret.

Sot kryeministri pretendon se ato janë në punë dhe ka gjetur sërish shkaktarët ose fajin te qytetarët, duke thënë se hedhja e mbeturinave ngado, ka sjellë bllokime të kanaleve, çfarë ka çuar më pas në përmbytje. Ka qenë kjo retorika në fakt e Edi Ramës, i cili pas disa ditësh ku ndodhej jashtë shtetit, tashmë është kthyer në Shqipëri dhe vetëm sot ka gjetur ose ka gjetur momentin për t’iu adresuar një mesazh qytetarëve, të cilët tashmë janë prej ditësh nën pushtetin e ujit për shkak të përmbytjeve.

Dhe nga ana tjetër, teksa ka përfunduar këtë takim me shtabin e emergjencave civile, kryeministri Edi Rama në këto momente ka nisur një mbledhje informale me anëtarët e kabinetit qeveritar në një rezidencë në periferi të kryeqytetit, e cila njihet ndryshe si “Vila e Kuqe”. Rama ka mbledhur ministrat e kabinetit qeveritar në një mbledhje informale e cila do të zgjasë prej orës 10 deri në orën 19:00, kështu është parashikuar, dhe fokusi kryesor do të jenë pikërisht objektivat e qeverisë së tij përgjatë vitit 2026.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button