Zv.kryeministrja s’është as Veliaj, as Ahmetaj’/ Lala: Nëse fundoset Belinda Balluku, fundoset edhe Rama!

Gazetarja Klodiana Lala ka bërë një paralajmërim të fortë, lidhur me fatin e kryeministrit të vendit Edi Rama, teksa iu referua hetimeve që kanë nisur për zëvendësen e tij, Belinda Balluku nga ana e SPAK.
E ftuar në emisionin A Shoë në Syri Tv, Lala tha se hetimi ndaj Belinda Ballukut, është me mjaft interes për kryeministrin Edi Rama, pasi ekziston frika te ky i fundit, për hetimin e aferave të tjera, ndërsa solli në vëmendje aeroportin e Vlorës, për të cilin tha se është një ‘vullnet qeveritar’ dhe jo vullnet ministrash.
Sipas Lalës, tashmë trajektorja e SPAK është drejtuar kah kryeministri Edi Rama, ndërsa shtoi se në rast të ‘fundosjes’ së Belinda Ballukut, atëherë kjo e fundit do të bëjë të njëjtën gjë edhe për liderin socialist.
Hetimi ndaj Belinda Ballukut i intereson Edi Ramës. Balluku s’është as Erion Veliaj, as Arben Ahmetaj. Nëse fundoset, fundoset së bashku me Edi Ramën. S’erdhi nga hiçi. Kur SPAK preku Ahmetajn, kam thënë që s’është niveli më i lartë që do preket. Më pas erdhi Veliaj, i cili për mua ishte më lart se Ahmetaj. Vënia nën hetim e Ballukut, më jep një shikim tjetër. Rama mund të ketë ndikim në pjesë të caktuar të SPAK, që mund të kenë një lloj marrëdhënie dhe bindjeje që mund të komunikojnë, disa nga prokurorët e SPAK s’i kontrollon dot, e kam edhe bindje dhe informacion. Edhe nga mënyra se si lëvizin ujërat nën rrogoz. Trajektorja e SPAK shkon në drejtim të atij që drejton qeverinë. Në momentin që prek aeroportin e Vlorës e hap petët e lakrorit, ai është vullnet qeveritar dhe jo vullnet ministrash. Trajektoren SPAK e ka drejtuar në drejtim të kryeministrit’, u shpreh gazetarja Lala.
Gazetarja theksoi ndër të tjera, se strategjia e shmangies dhe mos-përballjes me SPAK nga ana e Ballukut, nuk është e duhura, ndërsa të premten tha Lala, është thirrur për t’u paraqitur në institucionin e organit procedues.
‘SPAK ka pasur një sërë dosjesh hetimore, që lidhen me njerëz të besuar të saj. Evis Berberi, kontrolle të vazhdueshme për bashkëpunëtorët e saj. Vënie nën akuzë të kreut të ARRSH, vartës të Ballukut, nën hetim, nën akuzë dhe nën gjykim. Ka pasur informacion për dosje që janë kërkuar nga SPAK. Për detajet e hetimit, Balluku do të njihet nga ana e prokurorëve të SPAK. Do të paraqitet sërish të premten. Strategjia e shmangies dhe mos-përballjes, s’do të ishte e duhura. Thjesht e ngarkojnë veten me barrë të panevojshme kur bëjnë piruetet me drejtësinë’, u shpreh Lala./syri.net




