A lidhet vaksina COVID me 5 lloje kanceri? Ja e vërteta që thonë ekspertët

Një studim i përfolur së fundmi ka ndezur debate të forta pasi pretendon se vaksinat kundër COVID mund të lidhen me një rrezik më të lartë për gjashtë lloje kanceri. Sipas këtij hulumtimi, i cili është quajtur nga shumë shkencëtarë “kontestues” dhe i paqëndrueshëm, vaksina mund të ketë rol në zhvillimin e kancerit të gjirit, zorrës së trashë, vezores, fshikëzës urinare dhe leuçemisë. Artikulli i publikuar nga “Daily Mail” përdor tone alarmante dhe sugjeron se këto të dhëna po neglizhohen ose mbahen të fshehta nga autoritetet shëndetësore.
Por çfarë thonë ekspertët? Shumica e mjekëve dhe studiuesve të pavarur janë të qartë: nuk ka prova të forta që lidhin drejtpërdrejt vaksinat COVID me kancerin. Ajo që është vënë re në disa analiza është thjesht një “korrelacion” – pra dy ngjarje që ndodhin afër njëra-tjetrës në kohë, por pa provuar shkakun. Për shembull, disa pacientë që kanë marrë vaksinën kanë marrë më vonë edhe një diagnozë kanceri, por kjo nuk do të thotë se vaksina e ka shkaktuar atë. Shumë prej këtyre rasteve janë rastësi, sidomos duke pasur parasysh se miliona njerëz në mbarë botën janë vaksinuar.
Një pjesë e studimeve që përmenden në artikull tregojnë rritje të shifrave të shtrimeve spitalore për disa lloje kanceri menjëherë pas vaksinimit. Por kur këto të dhëna analizohen më thellë dhe merren parasysh faktorë të tjerë (mosha, gjendja shëndetësore, histori familjare etj.), lidhjet bëhen të paqëndrueshme ose zhduken fare. Pikërisht për këtë arsye, shumë shkencëtarë i konsiderojnë këto rezultate si të gabuara ose të pavlefshme.
Nga ana tjetër, organizata të rëndësishme si American Cancer Society dhe Blood Cancer UK kanë theksuar se nuk ekziston asnjë provë që vaksinat COVID të shkaktojnë kancer. Përkundrazi, personat me kancer ose me sistem imunitar të dobësuar këshillohen të vaksinohen, sepse janë më të rrezikuar nga komplikacionet e rënda të COVID-19. Studimet mbi pacientët me leuçemi, limfomë apo mielomë kanë treguar se vaksina është e sigurt dhe efektive, pa rritur rreziqe shtesë.
Specialistët gjithashtu paralajmërojnë publikun të mos bjerë pre e titujve sensacionalë. Shumë nga këto lajme bazohen në teori të quajtura “turbo cancer”, të cilat kanë qarkulluar në rrjetet sociale që nga fillimi i vaksinimit, por nuk kanë asnjë mbështetje shkencore. Nëse do të kishte vërtet një valë kanceresh të shkaktuara nga vaksinat, kjo do të ishte vënë re në mënyrë të qartë në statistikat globale shëndetësore, gjë që nuk ka ndodhur.