“Kazerma”/ Reality show apo film? Turjan Hysko i ‘bën lëmsh’ të gjithë, premton 200 mijë euro

Pas përfundimit të ‘Klanifornia’ dhe shpalljes si ‘investitor strategjik’ nga kryeministri, për Turjan Hyskon nuk u dëgjua më asgjë. Kemi parë në Instagram emisionin e së shoqes, Orindës, por për vetë Turin nuk dihej ndonjë gjë konkrete, lidhur me karrierën e tij.
Por duket se ‘investitori’ nuk paska ndenjur duarkryq. Shumë shpejt ai do të sjellë ‘Kazermën’, një produksion i cili i ka futur të gjithë në mendime: nëse është një film, apo një shfaqje reality. Në adresën e tij të Instagramit, Turi shkruan:
“Kazerma nuk ka mëshirë! Çdo ditë është një betejë për mbijetesë! Një çmim 200 mijë euro. Vetëm një fitues! Kush do të mbijetojë?”.
E më pas rendit emrat pjesmarrës, ku spikat regjisori. As më pak e as më shumë, Xhoslin Rama, një regjisor i njohur filmash.
Në postimin tjetër të tij, Turi shkruan:
“Kazerma”, do të ndryshojë rregullat e lojës. Një reality show që do e mbani mend gjatë!”.
Do kishim menduar se është vërtet një shfaqje reality, po të mos ishte për dy detaje: E para, janë afishuar emrat dhe kjo të bën të mendosh që është kast aktorësh dhe jo pjesmarrësish në një shfaqje reality, të cilët zbulohen vetëm në premierë.
E dyta, është hashtagu #movie (film) ai që i vë ‘vulën’. Së shpejti një film nga Turjan Hysko, ku sigurisht do jetë pjesë edhe Orinda Huta. /Pamfleti