Selami Xhepa: Me apo pa Diellën, vendimet në tendera do t’i marrin sërish zyrtarët

Teksa të gjithë janë në një mendje kur thonë se surpriza e qeverisë së re ishte ministrja “Diella”, ekspertë të fushës ekonomike janë skeptikë për impaktin dhe efikasitetin e procedurave nëpërmjet teknologjisë.
Selami Xhepa, i ftuar në emisionin E-ZONE, tha se pavarësisht mënyrës se si do të programohen procedurat e prokurimeve, në finale vendimarrja mbetet e zyrtarëve.
Shumë kompani në botë kanë një këshilltar virtual, që është algoritmi. Nëse njeriu ka mundësi të gabojë, studimet kanë treguar se algoritmi është 100% i saktë. Por në finale, kush e merr vendimin, algoritmi apo njeriu? Prokurimet publike nuk vuajnë sot nga procedurat, por nga vendimi final i cili nuk bazohet në meritë. Sot algoritmi do të sugjerojë nëpërmjet të dhënave që ti përfshin. Nëse të dhënat korrespondojnë për një subjekt të caktuar, atëherë dhe vendimi final nuk do të shkojë tek subjekti që e meriton. Unë nuk jam entuziast dhe nuk kam pritshmëri”,sqaroi Xhepa në Vizion Plus.
Eksperti Selami Xhepa u ndal edhe tek sfidat e mandatit të katërt qeverisës. Sipas tij në këtë mandat qeveria duhet të ketë më shumë fokus tek kategoria e pensionistëve, siguria juridike dhe përmirësimi i klimës ekonomike në tërësi.