Ish-kandidati demokrat kërkesë Berishës: Mblidh me urgjencë Këshillin Kombëtar, PD rrezikon të ”zhduket”

Ish-kandidati për deputet i PD, Lisandër Hoxha i ka kërkuar Sali Berishës që të thërrasë me urgjencë Këshillin Kombëtar për të përcaktuar aksionin opozitar.
Në një intervistë për ‘News24’, Hoxha theksoi se nuk duhet lejuar që vendi të shkatërrohet dhe sipas tij gjithçka duhet filluar nga brenda PD-së. Kjo, sipas tij, e çon Partinë Demokratike në piedestal në betejë me Edi Ramën ose rrezikon që PD të kthehet e papërfillshme në shoqëri.
“Duhet ta fillojmë brenda PD, të vendosen kushte e standarde për të qenë në maksimumin e nevojës që ka sot koha dhe pastaj të shkojmë të përballemi me Ramën përmes ndihmës së qytetarëve.
PD të mbledhë me urgjencë organet e saj, Këshillin Kombëtar sepse nuk mund të shtyhet më gjatë kjo punë 5 muaj pa mbledhur Këshillin nuk ka kuptim. Nuk kam qëndrime kundra, por pro.
Jam i dënuar për të pasur të drejtë, kjo ose e zgjidh PD dhe e çon në piedestal në betejë me Edi Ramën ose rrezikon që PD të kthehet e papërfillshme në shoqëri, nuk e dua një gjë të tillë sepse është e keqe për vendin”, u shpreh Lisandër Hoxha.
Hoxha kërkon që PD mos njohë rezultatin e zgjedhjeve dhe po ashtu as parlamentin por të organizojë protesta deri në plotësimin e kushtit jetik të opozitës “qeveri teknike”. Sipas Hoxhës, aksioni politik i PD duhet të bëhej jashtë dyerve të Kuvendit, në rrugë.
“Zgjodhën një rrugë që e bënë publike me vendim të Kryesisë dhe thanë do e bëjnë luftën brenda parlamentit. Unë kam mbajtur një qëndrim tjetër publik, që meqënëse nuk njohim zgjedhjet, s’duhet të njohim as parlamentin e dalë nga zgjedhjet e vjedhura, sic bënë qytetarët në Serbi e Nepal, si cdo popull që i preket vota, demokracia duhet të bëjë dhe rruga politike që do të duhet të ndiqte PD të ishte mobilizimi i qytetarëve në protesta të vazhdueshme me një kërkesë për qeveri teknike dhe mosnjohje e rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit, dhe kjo do të ishte legjitime.
Së pari, ne ishim në koherencë me atë që deklaruam, kemi zbardhur tashmë që ishte ndërhyrje brutale e shtetit në procesin zgjedhor dhe rezultati është i manipuluar. Jemi në një narkoregjim, regjim korrupsioni ku kryeministri Rama ka përvetësuar pushtetin e tij politik mbi kapjen e sistemit, zgjedhjeve dhe s’ka parti që e mund aparatin shtetëror.
Asnjë forcë politike në Shqipëri apo në të gjithë botën, nëse shteti angazhon të gjithë nëpunësit publikë dhe i përdor në shkelje të ligjit për zgjedhjet, nuk fiton dot sepse rezultati i dalë nuk është vullneti i qytetarëve por është makinë shtetërore që gllabërit zgjedhjet”, tha Hoxha.