“Mashtruesit e “Hako”-s: sallam me mish viçi 300 lekë/kg, kur mishi është 1250 lekë/kg; 52 produkte të manipuluara e dëmtuese”

Kompania “Hako”, në pronësi të Adnand dhe Antonela Hako, është bërë simbol i mashtrimit ushqimor dhe i rrezikut për konsumatorët shqiptarë.
Me reklama mashtruese se prodhojnë sallam me mish të freskët viçi dhe me certifikime false europiane, në të vërtetë produktet e tyre kanë vetëm 15% mish, edhe ai i ardhur nga importet e frigoriferëve me 15–20 vite qëndrim.
Pjesa tjetër është mbetje shtazore që duhet groposur, miell soje kineze për tagji kafshësh dhe lëndë të dëmshme.
Raportet e AKU kanë konstatuar kocka të bluara, zorrë, plendësa, lëkurë kafshësh dhe madje patate të prishura. Për të maskuar erën e keqe dhe ngjyrën e produkteve, kompania përdor erëza kimike të forta dhe aditivë artificialë, duke krijuar shije të rreme si “sallam me mish viçi”.

Më 10 qershor 2025, qytetarë denoncuan publikisht përbërjen skandaloze të sallameve “Hako”: lëkura patatesh, kokrra fasulesh, fibra veshësh kafshësh, pjesë kockash, dhjamra, madje edhe data skadence të falsifikuara.
KLSH dhe AKU kanë dokumentuar raste të përsëritura ku “Hako” ka tërhequr tonë të tëra sallamesh të mykura dhe me erë të keqe, por në vend që t’i groposnin, ato rifuteshin sërish në prodhim me raporte false.
Vetëm në prill 2021, mbi 2000 kilogramë sallam i skaduar u konstatua se ishte rikthyer në treg. Në total, gjatë viteve 2015–2025, janë evidentuar 35 raste të tilla të rifutjes së produkteve të skaduara.

Nga 70 lloje produktesh të kompanisë, 52 janë konstatuar të manipuluara dhe të dëmshme për shëndetin. Këtu përfshihen produktet më të shitura: sallam popullor, Sakson, kremviçe Mozarela, proshutë Pizza, parizier, kërnacka pule, salçiçe, proshutë viçi, krudo të tymosura dhe shumë të tjera.
Kompania deklaron publikisht se mishin e siguron nga furnitorë të certifikuar europianë, por realiteti është krejt tjetër: skema mashtrimi, mbetje shtazore dhe raporte false, të mbuluara me ryshfet e bashkëpunim të inspektorëve të AKU dhe ISHP.
Shqiptarëve u serviret helm në emër të sallamit. Dhe shteti, në vend që ta mbyllte fabrikën e krimit ushqimor, ka zgjedhur të mbyllë sytë./ Marrë nga “Pamfleti“