Life Style

LEKA ZOGU KËRKOI NUSE NË FAMILJEN MBRETËRORE AFGANE, E REFUZUAN- HISTORIA E RRALLË E TREGUAR NGA MBESA E PRINCESHËS

Nga Auron Tare

Ajo që doja të ndaja në këtë tregim të shkurtër është se Saira Shah vjen nga një linjë e afërt me Familjen Mbretërore Afgane, megjithëse kishte lindur dhe ishte rritur në Londër. Me të qeshur më tha që nëse Halla e saj do të kishte pranuar propozimin e Princit Shqiptar Leka, sot mund të kishim një dinasti të re Shqiptaro-Afgane. Historia ishte mjaft interesante. 

Dukej se ishte koha kur Leka i Shqipërisë i vendosur në Spanjë po përpiqej të gjente një kandidate të mundshme me gjak mbretëror për të lidhur një krushqi dinjitoze. Ndoshta përpjekjet e tija nuk kishin dhënë rezultat dhe ndonjë i njohur i kishte treguar se në Londër gjendej një princeshë afgane që vinte nga një Familje e rëndësishme me gjak Mbretëror. Saira i kujtonte mjaft mirë përgatitjet që familja e saj kishte bërë për të pritur Princin e Shqipërisë në rezidencën e tyre në Londër. 

Nuk e di përse Princesha Afgane, (emrin e të cilës e kam harruar) refuzoi dorën e Lekës, ndoshta gjatësia, ndoshta prejardhja jo e mjaftueshme e gjakut Blu apo ndoshta fakti që Leka nuk kishte një Fron të vetin por fakti është që sot fatkeqësisht nuk kemi një Dinasti Afgano- Shqiptare e cila do të kishte qenë për mendimin tim një kombinim i shkëlqyer i dy popujve malorë dhe me tradita të hershme tribale. 

Saira Shah sot është një gazetare e jashtëzakonshme e cila ka marrë pjesë në shumë konflikte të armatosura. Është nderuar me shumë çmime prestigjioze dhe është autore e disa librave mjaft të shitur. Saira është gjithashtu vajza e filozofit të njohur Afgano-Pers, Idriz Shah i cili për herë të parë prezantoi në mënyrë analitike sufizmin në Perëndim. 

Për një kohë, ai u bë udhërrëfyes shpirtëror i Bitëllsave. Influenca e tij është mjaft e dukshme në eksperimentimin e tyre me muzikën orientale. Veç këtyre, Saira Shah, kjo intelektuale afgane e jashtëzakonshme ka qenë një zë i fortë në mbështetjen e kauzës kosovare duke treguar për publikun britanik vuajtjet dhe aspiratën për liri të popullit kosovar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button