Life Style

Historia e panjohur e diplomacisë shqiptare/ “Pas ministrit italian, Dino Grandi, foli Fuad Asllani dhe të nesërmen, plot 12 gazeta londineze…” 

Në kohën e Zogut, ishte më vështirë të bëheshe diplomat, se sa sot”.

Uran Asllani, një nga studiuesit e diplomacisë shqiptare të viteve 1914-1944, si dhe djali i një prej diplomatëve më të shquar shqiptarë të viteve ‘30, tregon se një diplomati në atë periudhë i duhej të kalonte disa “sita” që të emërohej në këtë detyrë.

Në një intervistë ekskluzive, ai rrëfen të gjitha kriteret që duhet të përmbushte një person që pretendonte të bëhej diplomat. Gjithashtu ai tregon se kur e ka zanafillën diplomacia shqiptare, me cilat vende vendosëm marrëdhënie diplomatike dhe cili ishte misioni i tyre.

Cilat janë figurat më të rëndësishme të diplomacisë shqiptare të asaj kohe? Në këtë shkrim po botojmë edhe listën me emrat e diplomatëve që nga viti 1914-1944 dhe në vijim në numrin e ardhshëm, do botojë listën e të gjithë diplomatëve, nga viti 1944 deri në vitin 2007.

Zoti Asllani, çfarë roli kanë luajtur diplomatët shqiptarë në arenën ndërkombëtare në atë periudhë?

Ishte qershor i vitit 1933. Si përfaqësues i Shqipërisë në këtë konferencë, duhet të ishte ministri i Financave, por Zogu caktoi babain tim, ( Fuat Asllani), meqenëse ishte englishman. Si anëtar të delegacionit cakton edhe konsullin e nderit në Vjenë, që ndodhej në Londër. Zhvillohet konferenca dhe në një nga ditët e Konferencës, si zakonisht, delegacionet priteshin për darkë nga korporatat e mëdha për nder të mikpritjes. Në një nga ato darka ishte thirrur edhe babai dhe nja 27 delegacione të tjera, në korporatën e çelikut.

Mirëpo, korporata e çelikut ishte një korporatë që nuk dinte rregullin diplomatik, protokollin e ceremonialet. Në protokollin diplomatik vendosej në vendin e nderit titullari që ka gradën më të lartë diplomatike, pra ambasadori. Në atë kohë ambasada kishin vetëm ish-perandoritë. Të tjerët kishin Ministra Fuqiplotë. Pas ambasadorit vendoset Ministri Fuqiplotë i shkallës së parë, por i shtetit që është më i rëndësishëm.

Ata nuk e dinin këtë punë, por në rendin alfabetik ishte Albania, dhe kështu e vendosën babain ngjitur me presidentin e korporatës. Ngrihet presidenti dhe mban një çerek ore fjalim përshëndetës, me zhargonin arkaik të anglezëve, i nderuar, shumë i nderuar etj. Tani duhej të kthente përshëndetjen një nga delegacionet. Babai ishte ngjitur me presidentin.

Në fund të sallës ishte një armik i Shqipërisë, rrjedhimisht edhe antipatik me babain tim, ministri i Financave të Italisë, Dino Grandi, krahu i djathtë i Musolinit, i cili më vonë e pushkatoi. Në atë kohë ishte edhe ministër i Financave edhe zv. ministër i Punëve të Jashtme. Ai i thotë babait: “Ngrihu dhe jepi përgjigjen ti”, -duke mos ditur se babai e dinte anglishten në mënyrë të shkëlqyer. Babai ngrihet, mban fjalimin me të njëjtin zhargon që përdori edhe presidenti i korporatës. Të nesërmen, 12 gazeta londineze përmendën Shqipërinë për fjalimin.

Sa ministra fuqiplotë ka pasur Shqipëria deri në vitin 1939?

Deri në vitin 1937, ka pasur 8 ministra fuqiplotë të shkallës së parë, 3 ministra fuqiplotë të shkallës së dytë dhe këta ishin: Mehmet Konica, Dhimitër Berati, Xhaferr Vila, Mehdi Frashëri, Fuad Asllani, Raul Fico, Lekë Kurti, Dhimitër Popa. Ky, edhe pse ishte ministër fuqiplotë i shkallës së parë, në atë kohë nuk ishte në Ministrinë e Jashtme, por ishte Ministër Oborri.

Ne kishim legata të përhershme me Ministra Fuqiplotë të rangut të klasit të plotë në Uashington, Londër, Paris, Romë, Berlin, Bukuresht, Tokio, Beograd, Athinë, Ankara, Sofje. Pastaj kishim krye-konsullata në rang shumë të rëndësishëm, që ishin në tre qytete të Gjermanisë: në Nyremberg, Hamburg dhe Shtutgard. Kemi pasur krye-konsullatë në Marsejë, Bruksel, Selanik, Stamboll, Milano, Bari dhe plot konsullata. Në Itali: Torino, Bolonja, Brindizi, Trieste, Manastir, Janinë, Kostanca, Budapest, Nju Jork etj.

Cilët kanë qenë figurat më të shquara të kësaj fushe në ato vite?

Duhet ta fillojmë që nga Raul Fico, i cili ka nderuar veten dhe Shqipërinë. Edhe vlerësimi i diplomatëve të huaj për të, ka qenë i klasit të parë. Së dyti, ka qenë Xhaferr Vila, i cili me qëndrimin e vetë antiitalian u bë edhe shkak i aksidentit që përfundoi me vdekjen e tij. Ai ishte Ministër Fuqiplotë në Romë, ndërkohë që ishte konfliktuar disa herë me Ministrat Fuqiplotë italianë këtu në Shqipëri.

Tjetër diplomat i rëndësishëm i asaj kohe ka qenë edhe Dhimitër Berati. Ndofta edhe babai, (Fuat Asllani), sepse rëndësia është edhe në cilat shtete emërohesh. Gjithashtu edhe Eqerem Libohova, Xhemil Dino etj. Këta ishin përfaqësuesit më të fuqishëm të diplomacisë, për gati 20 vjet. Por diplomatë të një rangu më të ulët, që i kanë shërbyer me devotshmëri diplomacisë shqiptare, ka plot.

LISTA E 80 DIPLOMATËVE SHQIPTARË, NGA VITI 1912 DERI NË 1944

Jani Armodhi, konsull në Egjipt, në vitin 1922

Ali Asllani, konsull në Itali, në vitet 1922 -1925; ambasador në Bullgari, në vitet 1925 – 1926 dhe ambasador në Greqi, nga viti 1930 deri në 1932

Fuad Asllani, ambasador në Angli, në vitet 1934 – 1935

Reshad Asllani, konsull në Itali, në vitet 1923 -1924; konsull në Manastir, në vitet 1938 -1939

Rexha Bega, konsull në Turqi, në vitin 1938

Xhaferr Belegu, kryekonsull në Bari, konsull në Itali në vitet 1938 -1939

Dhimitër Berati, kryekonsull në Bullgari, në vitin 1924; ambasador në Francë në vitet 1924 -1925

Haki Blloshmi, konsull në Boston, SHBA, nga viti 1925 deri në vitin 1929

Selaudin Blloshmi, ambasador në Rumani, në vitet 1926 – 1928

Kostandin Boshnjaku, ambasador në Turqi, në vitin 1922

Kostandin Çekrezi, ambasador në SHBA, në vitet 1921 – 1922

Remzi Çelo, konsull në Selanik, Greqi 1934 – 1939

Lazër Çeta, konsull në Jugosllavi, në vitin 1925

Sofokli Çomora, konsull në Korfuz, Greqi, në vitet 1928 – 1933

Ferid Dervishi, kryekonsull në Bari, Itali, në vitet 1925 1926; konsull në Selanik, Greqi, në vitet 1932 – 1933; kryekonsull, në Turqi 1934 -1936

Xhemil Dino, ambasador në Itali, nga viti 1926 deri në 1931, dhe ambasador në Angli, në vitet 1932 – 1933

Vasil Dogani, kryekonsull në Rumani në vitet 1922 – 1936

Asdreni, konsull në Rumani në vitet 1921- 1926

Dervish Duma, konsull në Londër, Angli, në vitet 1936-1939

Rauf Fico, ambasador në Turqi, në vitet 1926-1928; ambasador në Jugosllavi, në vitet 1928 – 1929 dhe 1932- 1937, ambasador në Greqi në vitet 1937-1938; ambasador në Gjermani, në vitet 1938 -1939

Mehdi Frashëri, ambasador në OKB, në vitet 1926-1929

Mit‘hat Frashëri, ambasador në Francë, në vitet 1922 -1923; Greqi në vitet 1923 – 1926

Qemal Frashëri, konsull në Korfuz, Greqi, në vitet 1925-1926

Xhemal Frashëri, konsull në Londër, në vitet 1925-1927; kryekonsull në Manastir në vitet 1935-1938; kryekonsull në Stamboll, Turqi, 1938-1939

Shemzi Gabrani, konsull në Bari, Itali, në vitin 1925,

Gjergj Geco, kryekonsull në Egjipt, në vitet 1934-1935; kryekonsull në Janinë, Greqi, në vitet 1935-1936

Rrok Gera, ambasador në Gjermani, në vitin 1944

Fahredin Gjata, ambasador në Greqi, në vitet 1926 -1927

Shaqir Hajrullahu, konsull në Stamboll, Turqi, 1936-1938

Sabri Hamzaj, konsull në Stamboll, Turqi, në vitin 1926

Maksud Hulusi, kryekonsull në Janinë Greqi, në vitet 1937-1939

Remzi Janina, kryekonsull në Janinë, Greqi, në vitet 1926-1931

Qemal Jusfuti, kryekonsull në Selanik, Greqi në vitet 1934-1935

Angjelin Kakarriqi, konsull në Korfuz Greqi, në vitet 1938-1939

Vasil Kalluci, konsull në Korfuz, Greqi, në vitin 1926

Hamdi Karazi, konsull në Itali, në vitet 1927-1928, kryekonsull në Korfuz Greqi në vitet 1933-1934

Nikollë Kasneci, konsull në Itali, në vitet 1920-1921

Ndrio Katundi, konsull në Jugosllavi, në vitet 1922-1924

Stavri Katundi, konsull në Manastir, në vitet 1938-1939

Atlante Koçi, konsull në Bullgari, në vitet 1936-1939

Mark Kodheli, kryekonsull në Bari, konsull Itali, në vitet 1927-1933

Xhahid Koka, kryekonsull në Selanik, Greqi në vitin 1938

Faik Konica, ambasador në SHBA, në vitet 1926-1939

Mehmed Konica, ambasador në Angli, në vitet 1920-1925

Skënder Konica, konsull në Bullgari, në vitet 1932-1934

Stelio Kostandini, konsull në Egjipt, në vitet 1923 -1925

Dhimitër Kosturi, konsull në Francë, në vitet 1928-1932; konsull në Janinë, Greqi, në vitet 1932-1935; kryekonsull në Egjipt, në vitin 1935

Kostandin Kote, konsull në Itali, në vitet 1922-1923

Ceno Kryeziu, ambasador në Jugosllavi, në vitet 1926-1927, ambasador në Çekosllovaki, në vitet 1927-1934

Lec Kurti, konsull në Bari, Itali në vitet 1921-1922; ambasador në Greqi, nga viti 1925 -1926; ambasador në OKB, në vitet 1930-1935

Sotir Laci, konsull në Greqi, në vitet 1936 -1937

Nezir Leskoviku, konsull në Stamboll, 1922-1925; kryekonsull në Bullgari, në vitet 1932-1933; konsull në Greqi në vitet 1936-1938

Xhavid Leskoviku, ambasador në Jugosllavi, në vitet 1925-1926; ambasador në Turqi në vitet 1933-1934, ambasador në Greqi në vitet 1934-1936

Asaf Libohova, konsull në Bari, Itali, në vitin 1939

Eqerem Libohova, ambasador në Itali, në vitet 1925-1927, ambasador në Francë në vitet 1933-1936

Maliq Libohova, konsull në Londër, konsull në Angli, në vitet 1926-1927; kryekonsull në bari, Itali, në vitin 1939

Tefik Mborja, ambasador në Itali, në vitet 1923-1925

Kosta Meksi, konsull në Manastir, në vitet 1933-1934; kryekonsull në Stamboll, Turqi në vitin 1937

Qemal Mesarea, ambasador në Greqi, në vitet 1933-1934

Kostandin Mima, konsull në Trieste, Itali, në vitet 1925-1927

Gjergj Naçi, konsull në Turqi, në vitin 1937

Pandeli Nase, kryekonsull në Egjipt, në vitet 1927-1934

Fan Noli, ambasador në OKB, në vitet 1921-1922

Gjergj Pekmezi, konsull në Austri, në vitet 1921-1925; konsull në Jugosllavi, në vitet 1925 1926

Nik Pema, konsull në Hungari, në vitet 1923 -1925

Dhimitër Popa, ambasador në Bullgari, në vitet 1932-1934

Nikollë Rrota, kryekonsull në Austri, në vitet 1921-1926

Çatin Saraçi, kryekonsull në Bari, Itali, në vitin 1925; konsull në Austri, në vitet 1926-1929

Xhemal Sojli, konsull në Kostancë, Rumani, në vitet 1921-1923

Rrok Stani, konsull në Rumani, në vitet 1926-1927; kryekonsull në Korfuz, Greqi, në vitet 1937-1939

Stavro Stavri, ambasador në Jugosllavi, në vitin 1925; ambasador në Greqi, në vitet 1926-1928

Avdyl Sula, konsull në Nju Jork, SHBA në vitet 1923-1925; kryekonsull në Selanik, Greqi, në vitet 1926-1927; ambasador në Egjipt, në vitet 1938-1939

Xhelal Shaska, konsull në Bari, Itali, në vitin 1938

Tahir Shtylla, ambasador në Jugosllavi, në vitet 1927-1929

Koço Tashko, konsull në Nju Jork, SHBA, në vitet 1922-1924

Xhaferr Vila, konsull në Francë dhe Angli njëkohësisht, në vitin 1925; ambasador në Jugosllavi në vitet 1929-1932, ambasador në Greqi, në vitet 1932-1933, ambasador në Itali në vitin 1936-1938

Eqerem Vlora, ambasador në Angli, në vitet 1927-1929, ambasador në Greqi, në vitin 1929

Iljaz Vrioni, ambasador në Francë, në vitet 1925-1927

Asaf Xhaxhuli, kryekonsull në Shkup, në vitet 1933-1936; ambasador në Turqi, në vitet 1938-1939

Zaharia Zamifresku, konsull nderi në Rumani, në vitet 1921-1929

/Nga Armand Jonuzi – Memorie.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button