Lajme

Pas pjeshkëve dhe domateve, Sllovenia bllokon specat e kuq nga Shqipëria, janë plot me pesticide

Produktet shqiptare vazhdojnë të bllokohen nga shtetet ku po dërgohen.

Pas pjeshkëve të asgjësuara në Kroaci dhe domateve në Bosnje, sot ka ardhur radha e specave të kuq.

Mediat sllovene shkruajnë se kompania ‘Geaprodukt d.o.o’ ka njoftuar tërheqjen nga tregu të specave të kuq djegës me origjinë nga Shqipëria, pasi analiza kanë treguar praninë e tepruar të pesticideve acetamiprid, formetanat dhe flonikamid.

Produkti i tërhequr ka serinë LOT:3505 dhe është furnizuar gjatë periudhës 24 gusht-4 shtator 2025. Produktet ishin paketuar në kuti kartoni primare dhe PVC sekondar.

Klientët këshillohen ta kthejnë produktin ose ta hedhin. Kompania Geaprodukt, që ka importuar specat nga Shqipëria, ka dhënë urdhër për tërheqjen e menjëhershme të tyre nga tregu dhe ka kërkuar nga klientët që ta kthejnë produktin në vendin e blerjes, ose në rast se kjo nuk është e mundur, ta asgjësojnë vetë me kujdes.

Po ashtu, kompania ka paralajmëruar konsumatorët që mund të kenë konsumuar ose pasur kontakt me specat, të lajnë mirë duart dhe nëse ndiejnë probleme me tretjen apo të përziera, të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore.

Eksportet bujqësore nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian po përballen gjithnjë e më shumë me kontrolle të rrepta për përmbajtjen e mbetjeve kimike dhe metaleve të rënda në produktet ushqimore.

Disa ditë më parë u bllokua gjithashtu një sasi prej 5.562 kg pjeshkë me origjinë nga Shqipëria, për shkak të nivelit të lartë të nikelit, përtej normave të lejuara nga BE.

Rasti është raportuar më 22 gusht 2025 nëpërmjet Sistemit të Alertimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshët (RASFF), i cili njoftoi Autoritetin Kombëtar të Ushqimit në Shqipëri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button