Pse u humbën zgjedhjet? Alimehmeti: U krijuan pakënaqësi nga primaret në PD dhe përfaqësimet që u dhamë aleatëve

Ilir Alimehmeti, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, i ftuar në Klan News, foli për zhvillimet brenda partisë dhe sfidat që kanë shoqëruar proceset e fundit.
Ai theksoi se reforma zgjedhore, e diskutuar që më parë, nuk ka favorizuar votën e lirë dhe përfaqësimin direkt të qytetarëve, duke e bërë atë një proces të kritikuar brenda partisë.
Një tjetër sfidë, sipas tij, ka qenë vendosja e koordinatorëve të qarqeve, ku kontributi dhe produktiviteti janë parë si elementë kyç për të garantuar përfaqësim dhe efikasitet në zgjedhje.
Që para një viti, mbi një vit kemi diskutuar që reforma zgjedhore nuk ishte në favor të votës së lirë dhe nuk ishte në favor të përfaqësimit direkt të njerëzve, që u bë në mënyrë biletarale. Më pas ne kemi diskutuar se si u vendosën koordinatorët e çdo qarku, kontributi është i rëndësishëm kudo, por edhe produktiviteti kemi thënë është i rëndësishëm, pra përfaqësimi dhe produktiviteti sepse në fund fare shkon për disa zgjedhje ku numërohet vota, pra ka një produktivitet që është numërimi i votave. I kemi thënë që shtatorin e kaluar.”
Alimehmeti shtoi se procesi i primareve duhet ndjekur me kujdes, pasi gabimet mund të krijojnë pasoja, qoftë të vogla apo të mëdha, ndërsa gjithmonë ka individë të pakënaqur. Ai nuk la pa përmendur edhe problematikat me forcat aleate, të lidhura me numrin, përfaqësimin dhe vendin e tyre brenda partisë.
“Procesi i primarave do të duhet të ishte ndjekur më saktë, e kemi thënë që në qoftë se bëhen mirë janë një vlerë e shtuar, por nëse nuk bëhen siç duhet do të krijojë pasoja dhe absolutisht që krijoi, të vogla, të mëdha. Gjithmonë ka njerëz të pakënaqur.
Nuk dua t’i jap ngjyrim kësaj, por patjetër që problematika pati. Patëm një problematikë tjetër ndoshta me forcat aleate, me numrin e tyre, me përfaqësimin e tyre, me vendin e tyre” tha Alimehmeti.