Aksidenti tragjik/ Dy motrat shisnin misra në Sarandë për kurimin e vëllait me leucemi! Familjarët në lot: Na ndihmoni ta shërojmë

Në familjen Dhimaku ka pllakosur zija. Dyer e mortit janë hapur. Mes dhimbjes së papërshkrueshme, familjarë e të afërm, po presin ngushëllime për ndarjen nga jeta të dy vajzave, studente të Mjekësisë, Elvisa 22 vjeç dhe Rozina 20 vjeç.
Sakrificat për të kuruar vëllanë 7-vjeçar, i cili vuan nga leucemia ishin të mëdha jo vetëm nga kryefamiljari që merret me blegtori, por edhe dy vajzat që punonin dy punë për të përballuar kushtet e vështira ekonomike.
Ishim pranë familjes Dhimaku, ku familjarët mes lotësh tregojnë se dy vajzat shisnin misra në qytetin bregdetar të Sarandës, për të mbuluar shpenzimet e kurimit.
Halla e vajza, thotë se mbrëmjen kur ndodhi aksidenti, Elvisa dhe Rozina kishin mbaruar njërën prej punëve dhe ishin kthyer në banesë për të çlodhur. Pas 30 minutash u nisën për të shitur misra, në Sarandën që gëlon nga turistët.
Jetojmë në këtë dhimbje kaq të madhe. 2 çupat ikën nuk kthehen më. Në mbrëmje kishin ardhur nga puna, bënin 2 punë për shërimin e vëllait se s’kishin mundësi. Erdhën pushuan dhe u nisën prapë për punë. Në Sarandë shisnin misra dhe gjëra të fshatit. Ato ikën, dhimbjen e kemi. Kanë vëllanë e vetëm, ai ishte shumë i lidhur me to, po ta marrë vesh…e kemi larguar nga shtëpia. Sadopak kërkojmë ndihmë që djali të shkojë në një spital më të specializuar që të na shpëtojë”,shprehet Shahidja, halla e vajzave mes lotësh.
Djali 7-vjeçar ende nuk është në dijeni që motrat e tij kanë ndërruar jetë. Të gjithë familjarët me dhimbje kërkojnë ndihmë për kurimin e tij, i cili vuan nga leucemia.
“2 yje dy vajza, 22 vjeçe 20 vjeçe, të dyja studente në Tiranë. Prindërit punëtorë në fshat, punonin natë-ditë për ato vajza ti sistemojnë, të studionin. Kërkojnë ndihmë për çunin, zoti të na ndihmojë. Djali nuk di gjë për motrat”, tha Servet Dervishi, daja i vajzave.
Jetoj në emigrim. Kjo që na ndodhi mos i ndodhtë askujt, as hasmit, ndihmë kërkojë dhe për djalin se vajti 3 vjet me këto probleme, ka sëmundje gjaku. Kemi luftuar me forcat tona kaq sa kemi pasur mundësi. Djali është 7 vjeç. Në momentin që do e marrë vesh, menjëherë do përkeqësohet gjendja e tij”, shprehet xhaxhai i vajzave Vasil Dhimaku.
Te dyja vajzat studionin mjekësi.