Life Style

Shkenca: Nxehtësia përshpejton plakjen më shumë se pirja e duhanit apo alkoolit

Të jetuarit në një klimë më të nxehtë mund të ndikojë ndjeshëm në shëndetin afatgjatë.

Një studim i ri i publikuar në revistën Nature Climate Change tregon se ekspozimi ndaj valëve ekstreme të të nxehtit mund të përshpejtojë procesin e plakjes biologjike.

Studiuesit analizuan të dhënat shëndetësore të afërsisht 25,000 të rriturve në Tajvan përgjatë një periudhe 15-vjeçare dhe arritën në përfundimin se vetëm dy vjet nën ndikimin e temperaturave ekstreme mund të shtojnë tetë deri në 12 ditë dëmtime të lidhura me plakjen.

Ky efekt mund të duket i vogël në fillim, por është akumulativ dhe me kalimin e kohës mund të bëhet i rëndësishëm për shëndetin publik,” shpjegon Cui Guo, profesor në Universitetin e Hong Kongut dhe udhëheqës i studimit.

Gjetjet nënvizojnë nevojën për politika më të forta mjedisore dhe mbrojtje për grupet më të rrezikuara, ndërsa ndryshimet klimatike vazhdojnë të intensifikojnë valët e të nxehtit në mbarë botën.

Sipas shkencëtarëve, temperaturat ekstreme, që po bëhen gjithnjë e më të zakonshme për shkak të krizës klimatike, mund të shkaktojnë dëme afatgjata në shëndetin e miliarda njerëzve në mbarë botën.

Derisa ishte tashmë e ditur se valët e të nxehtit shkaktojnë rritje të menjëhershme të vdekjeve të parakohshme, siç ishte rasti me thuajse 600 vdekje të lidhura me një valë të nxehti në Angli, kjo është një nga analizat e para që shqyrton ndikimin afatgjatë.

U zbulua se moshimi biologjik rritej me rreth 9 ditë për ata që përjetonin 4 ditë më shumë me temperatura ekstreme brenda një periudhe dyvjeçare. Ndërkohë, punëtorët të cilët kalojnë më shumë kohë jashtë kishin një rritje të moshës biologjike prej 33 ditësh.

Shkencëtarët theksojnë se, edhe pse këto shifra mund të duken të vogla, ato mbulojnë vetëm një periudhë dyvjeçare.

Rritja e moshës biologjike është gjithashtu një tregues i fortë i rrezikut për vdekshmëri të hershme.

“Ekspozimi ndaj valëve të të nxehtit në periudha të gjata mund të ketë pasoja shumë më të rënda se sa kemi raportuar,” tha Dr. Cui Guo nga Universiteti i Hong Kongut, që drejtoi kërkimin. “Dhe për shkak se këto valë janë gjithnjë e më të shpeshta dhe zgjasin më shumë, ndikimet në shëndet mund të përkeqësohen edhe më tej.”

Profesori Paul Beggs nga Universiteti Macquarie në Australi shtoi: “Të gjithë kemi përjetuar valë të nxehti dhe kemi menduar se ia kemi hedhur pa pasoja – por ky studim tregon se këto valë në fakt ndikojnë në mënyrën se si plaket trupi ynë.”

Ai përmendi një zbulim tjetër tronditës nga viti 2024, ku u gjet se ekspozimi ndaj të nxehtit në fëmijëri dëmton zhvillimin e trurit.

Të dyja gjetjet tregojnë se nxehtësia ekstreme mund të ndikojë negativisht në çdo moshë dhe ndikimi mund të jetë i përhershëm.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button