Lajme

PD nuk gjen qetësi, demokratë revoltohen dhe dalin kundër Sali Berishës pas vendimit për t’i dhënë deputetë hua Metës

Partia Demokratike duket se nuk po gjen gjetësi, teksa po përballet me një krizë të thellë brenda radhëve të saj, ndërsa demokratët shprehin revolta ndaj Sali Berishës pas vendimit të tij për t’i dhënë deputet hua Ilir Metës, për të krijuar grupin parlamentar të Partisë së Lirisë. Fillimisht ka qenë deputeti në ikje i PD, Kreshnik Çollaku, i cili ka dalë kundër vendimit të Berishës sa i takon qasjes që ai po ndjek në raport me Metën. Me dy postime në rrjetet sociale, Çollaku e ka cilësuar këtë lëvizje si një tjetër autogol të opozitës, duke akuzuar se Partinë Demokratike se po shndërrohet në strehë për partitë e falimentuara dhe jo në forcën që bashkon të djathtën.

“PD përveç deputetëve të falur në lista të sigurta, do të bëjë ish-LSI edhe me grup parlamentar në shtator. Ndërsa kemi gjithë verës themi zgjedhjet na u vodhën, dhe ftojmë demokratët në revolta popullore në shtator, kundër Farsës Elektorale”, shkroi ai. Po ashtu, ai thumboi vijoj revoltën. “Problemi i PD nuk është pse i dhuron 7 deputetë e një grup parlamentar ish-LSI (parti me ideologji e histori tjetër)… por se nuk ndal dot hemorragjinë brenda llojit, nuk bashkon të djathtën dhe dëgjon pak ose aspak pjesën gri të elektoratit anti-Ramë!!!”, shtoi Çollaku në statusin e dytë.

Reagon Myslim Murrizi

Ndërkohë për këtë çështje ka reaguar edhe ish-deputeti demokrat, Myslim Murrizi. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Z. Murrizi, e quajti vendimin e Berishës për t’i dhënë hua deputetët Metës në mënyrë që PL të krijojë grup parlamentar si “një qerasje politike për parti pa vota”. “Kjo “qerasja” me deputetë nga PD tek partitë që nuk kanë vota as për një mandat, po më “pëlqen” shumë.

Opozita në zgjedhjet e 11 majit mori gjithsej 50 deputetë. Nga këto 4 ishin të LSI, 1 ishte i PR, 1 ishte i PDIU, 1 i PPDNJ, 1 i Partisë Agrare. Vetë PD i ngelin 42 deputetë pa llogaritur ndonjë që ka ardhur si në transferte, i huazuar nga LSI ose PS. Nga 42 deputetë që i ngelen PD, dëgjova që 3 do t’i jepen për qerasje LSI-së që të krijojë grup parlamentar me 7 deputetë. 6 deputetë do t’i jepen Mediut për të krijuar grup tjetër parlamentar me 7 deputetë. Dhe 6 të tjerë Partisë Agrare që edhe kjo të ketë grup parlamentar. Kështu që grupit parlamentar të PD i ngelen vetëm 27 deputetë gjithsej. Mirë do ishte që 6 deputetë të tjerë t’ia jepnin për kusur PDIU-së që edhe kjo partiçkë, që mori 1,500 vota, ta ketë një grup parlamentar.

Dhe 6 deputetë të tjerë t’ia jepnin hua PPDNJ-së së Dules, që nuk mori asnjë votë më 11 maj, që edhe Dulja ta ketë një grup parlamentar. Dhe PD vetë të mbajë çfarë t’i ngel pas “qerasjes”, që sipas llogarive ngelen 15 deputetë. Po edhe nga këto 15 “mirë” do bëni t’i jepnit 5 Agron Shehut që edhe ai të bëjë një grup parlamentar, se PD vetë “tamam” i ka 10 deputetë. Po kur shqiptarët shohin se si bëhet “qerasja” me deputetë që këto parti parlamentare lejojnë të kenë grup parlamentar fiktiv vetëm për të marrë para nga taksat e shqiptarëve dhe për të punësuar 2-3 familjarë të tyre si këshilltarë apo sekretarë grupi si gjoja parti parlamentare, dhe që “kanë” grup parlamentar me deputetë të “shitur” në merkate, pse duhet të qëndrojnë stoikë si votues dhe të mos mund ta bëjnë këtë “pazar” vetë me votën e tyre ditën e zgjedhjeve????? Pse u dashka që votat e demokratëve t’i “dorëvosni” ju ku të keni interes në parti që kanë luftuar demokratët, dhe demokratët vetë e paskan të ndaluar ta bëjnë një “dorëvitje” me votë sa herë të ketë zgjedhje tek çdo parti apo partiçkë që i ofrohet me pagesë???? Dhe pastaj themi pse kemi 16 vjet në opozitë”, shkruan Murrizi.

Reagon Flutura Açka

Nga ana tjetër, edhe deputetja në ikje demokrate, Flutura Açka, ka reaguar ndaj situatës së brendshme të Partisë Demokratike, duke e cilësuar atë si “të paaftë për të gjetur një zgjidhje”. Me një postim në rrjetin social “Facebook”, Açka shkruan se PD-ja është futur në një “hall”, nga i cili nuk di të dalë dhe se partia duhet të nisë nga e para. ““Mos u fshihni më pas gishtit! PD juaj ka rënë në një hall që nuk ia del ta zgjidhë dot, ndaj duhet të nisë nga e para. Prej kësaj PD-je të ndryshkur, Shqipëria po shkon në Depresion Shoqëror. Komunistëve po iu bëhen 80 vjet në pushtet dhe shqiptarët kanë marrë sytë këmbët! A kemi më moral? Çështja është: a ka elitë PD-ja? Çështja është: a do ta durojnë demokratët këtë lloj elite që kanë? Në zgjedhje duruan… Por zgjedhjet kanë mbaruar, ka kohë që kanë mbaruar, or të uruar!”, shkroi dje Açka.

Çfarë ka ndodhur?

Ndërkaq sikundër theksuam më sipër, kujtojmë se Sali Berisha ka vendosur ti qëndrojë besnik Ilir Metës edhe pas humbjes së zgjedhjeve. Pasi i dhuroi katër ulëse të sigurta në Kuvend, doktori do i japë  3 deputetë hua aleatit të tij, të betejave te vjetra për të krijuar një grup parlamentar. “Ne kemi renë dakord që në rast se forca jonë politike nuk do kalonte pragun prej 7 deputetësh të domosdoshëm për krijimin e grupit parlamentar atëherë do marrim tre deputet nga Partia Demokratike në mënyrë që te jemi gjithashtu një zë i rëndësishëm në Kuvendin e ri. Të jeni të sigurt që zëri i zotit Meta do dëgjohet fuqishëm në Kuvendin e ri në çdo seancë dhe në çdo mbledhje të komisioneve parlamentare”, deklaroi dy ditë më parë sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi. Por pasja e një grupi kuvendor do të thotë benefite qoftë në minutazhin e debatit në Kuvend, por edhe në zyra dhe staf të cilat do të jenë bonus politik në aksionin parlamentar të partisë së Ilir Metës, i cili do koordinojë betejën e të tijve nga burgu./sot.com.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button