19-vjeçari udhëtoi që të takonte të dashurën e tij, ajo e rrëmben dhe e shet për skllav

Një 19-vjeçar nga Kina ka rënë viktimë e një tradhtie të pabesueshme, pasi e dashura e tij 17-vjeçare e shiti si skllav në Myanmar.
Sipas motrës së tij, i riu mendonte se kishte gjetur dashurinë e jetës në vajzën që njohu në një klub nate në vitin 2024.
Ajo shfaqej në rrjete sociale me rroba dhe çanta luksoze nga stilistë të njohur – të cilat më vonë rezultuan të ishin false – duke pretenduar se ishte pasardhëse e një familjeje të pasur nga Myanmar dhe se prindërit e saj ishin menaxherë investimesh.
Me këtë imazh mashtrues, 17-vjeçarja bindi të dashurin të nisej me të për një udhëtim jashtë vendit në Tajlandë dhe Myanmar, duke i premtuar se do ta ndihmonte të gjente punë.
Në shkurt, 19-vjeçari udhëtoi fshehurazi drejt Bangkokut, por në vend që të gjente një mundësi të re, ra në kurthin e saj. Në Tajlandë, e mitura e tërhoqi drejt kufirit me Myanmar dhe e braktisi, ku mendohet se përfitoi para. Pak më vonë, një person i armatosur i mori pasaportën dhe telefonin dhe e çoi në një ndërtesë ku nisi kalvari i tij.
Atje, iu qeth koka dhe u detyrua të punonte nga 16 deri në 20 orë në ditë. Kur nuk arrinte objektivat, e rrihnin me shufra metalike, e mbyllnin në dhoma të errëta dhe shpesh e linin pa ushqim. Abuzimi ishte aq i rëndë, sa pas disa muajsh 19-vjeçari humbi dëgjimin.
Rrëmbyesit kërkuan 40,000 euro për ta liruar dhe vetëm pasi familja pagoi këtë shumë, ai u kthye në shtëpi në qershor, pas katër muajsh robërie.
Ndërkohë, 17-vjeçarja u arrestua gjatë kthimit në Kinë pas një qëndrimi 10-ditor në Tajlandë. Ajo tashmë përballet me akuza për mashtrim.
Familja e viktimës thotë se i riu vazhdon të vuajë nga ankthi dhe makthet, ndërsa shpreson që autorja e tradhtisë të marrë dënimin maksimal.