Nga djepi te ushqimi, 5 këshilla të kujdesit për foshnjat që kanë ndryshuar me kalimin e viteve

Ja cilat janë pesë këshillat më të rëndësishme që nuk vlejnë më si dikur
Pediatri me përvojë, Dr. David Hill, një baba i pesë fëmijëve dhe figurë e njohur në Akademinë Amerikane të Pediatrisë, ka ndarë pesë mesazhe thelbësore për kujdesin ndaj foshnjave që kanë ndryshuar ndjeshëm me kalimin e kohës.
Në një kohë me shumë dezinformim, ai inkurajon prindërit të konsultohen me mjekët dhe të kërkojnë burime të besueshme. Ja cilat janë pesë këshillat më të rëndësishme që nuk vlejnë më si dikur:
- Gjumi i sigurt i foshnjës
Dikur prindërit këshilloheshin t’i vendosnin në gjumW foshnjat përmbys për të shmangur mbytjen. Sot, udhëzimet kanë ndryshuar rrënjësisht: foshnjat duhet të flenë vetëm, në shpinë dhe në një dyshek të fortë e të sheshtë. Co-sleeping (gjumi me foshnjën në të njëjtin shtrat) është i rrezikshëm. Ligje të reja madje ndalojnë shitjen e krevatëve me anë të lëvizshme apo mbrojtëse të buta.
Në SHBA, janë marrë masa të rrepta ligjore për të rritur sigurinë: Në vitin 2011, u ndaluan djepat me anë të lëvizshme, të cilët kishin shkaktuar dhjetëra aksidente fatale. Në 2022, ligji federal “Safe Sleep for Babies Act” ndaloi shitjen e djepave të pasigurt dhe aksesoreve si mbrojtëset e buta anësore (crib bumpers) që mund të rrisin rrezikun e mbytjes. Po ashtu, krevatet e pjerrëta janë shpallur të rrezikshme dhe nuk rekomandohen më.
- Alergjitë ushqimore – nga shmangia te ekspozimi i hershëm
Më parë, prindërit paralajmëroheshin të shmangnin vezët dhe kikirikët deri pas moshës 2-3 vjeç. Sot, këshillohet ekspozimi i kontrolluar ndaj tyre që në muajin e gjashtë, pasi kjo zvogëlon rrezikun për alergji të rënda.
- Kujdesi për kërthizën
Përdorimi i bojës antiseptike lejla për të mbrojtur kërthizën dikur ishte rutinë. Tani rekomandohet që kërthiza të thahet vetë natyrshëm, pa përdorur substanca të jashtme – mjafton të mbahet e pastër dhe e thatë.
- Vaksinat më të mira dhe më të shumta
Në të kaluarën, shumë sëmundje serioze (si meningjiti apo pneumokoku) ishin të zakonshme. Sot, vaksinat e reja kanë reduktuar ndjeshëm rastet. Po ashtu, vaksinat kundër RSV dhe injeksionet parandaluese kanë sjellë ndryshim të madh në mbrojtjen e foshnjave.
- Fokusi i ri në mirëqenien emocionale
Pas publikimit të studimit ACE në vitin 1998, pediatria ka filluar të fokusohet jo vetëm në shëndetin fizik, por edhe në ndikimin që streset dhe traumat kanë te fëmijët. Qasja ka ndryshuar nga “Çfarë nuk shkon me ty?” në “Çfarë të ka ndodhur dhe si mund të ndihmojmë?”. Qasja e re bazohet në ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme, të sigurta dhe mbështetëse me fëmijët.
Dr. Hill përfundon me një mesazh shprese për prindërit: nuk ka nevojë të jesh perfekt – të jesh një “prind mjaftueshëm i mirë” është gjithçka që fëmija ka nevojë.