Life Style

Filmi ‘F1’ bëhet suksesi më i madh i karrierës së Brad Pitt, thyen çdo rekord

Gati dy muaj pas premierës botërore më 27 qershor 2025, filmi “F1”, me Brad Pitt në rolin kryesor, është bërë një fenomen global dhe tashmë konsiderohet si projekti më i suksesshëm në karrierën katërdekadëshe të aktorit amerikan. Me dy çmime Oscar, dy BAFTA dhe dy Golden Globe në karrierë, Pitt nuk kishte përjetuar ndonjëherë një sukses financiar si ky, madje as me filmat kult si Fight Club, Seven apo Inglourious Basterds.

Filmi i drejtuar nga Joseph Kosinski, që rrëfen jetën e një piloti fiktiv, Sonny Hayes (luajtur nga Pitt), dhe partnerit të tij të ri, Joshua Pearce (interpretuar nga Damson Idris), ka mbledhur 545 milionë dollarë në arkëtimet botërore, duke kaluar edhe suksesin e mëparshëm të Pitt me World War Z (540 milionë dollarë).

“F1: The Movie” ka përfshirë jo vetëm kinematë, por edhe kulturën popullore: tifozë që mbajnë veshjet e skuadrës fiktive APXGP, pankarta në garat reale të Formula 1 dhe krahasime mes pilotëve të vërtetë si Fernando Alonso me personazhin Hayes. Brad Pitt ka rrëmbyer vëmendjen e një brezi të ri si një protagonist karizmatik që rikthen shkëlqimin klasik në ekran.

Filmi është tashmë i teti më i shikuari në botë për vitin 2025, duke u renditur pas titujve të mëdhenj si Ne Zha II, Lilo & Stitch, Minecraft, Jurassic World, How to Train Your Dragon, Mission: Impossible dhe Superman. Madje, në kuadër të Apple Studios, ku është prodhuar, ai ka kaluar filma si Napoleon (218 milionë) dhe Killers of the Flower Moon (157 milionë), të Martin Scorsese-t

Për momentin, nuk është konfirmuar nëse do të ketë një vazhdim të filmit, por Lewis Hamilton, që është përfshirë si producent, ka thënë se duhet të shijohet ajo që është aktualisht në kinema. Kritikat janë gjithashtu pozitive: portali i njohur IMDB i jep një vlerësim 7.9, duke e cilësuar si “një film argëtues, larg realizmit, por me një Brad Pitt të shkëlqyer në një rol kryesor tërheqës dhe të relaksuar”.

Nëse ka ndonjë film që ka përkthyer pasionin për shpejtësinë dhe botën e Formula 1 në një spektakël hollivudian, “F1” është pa dyshim ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button