“Trupi ishte i shtrirë në sallon, veshur me kostum”/ Vr*sja e Anesti Ramës, Prokuroria zbulon DETAJE: Vajza dhe gruaja pastruan vendin…

Prokuroria e Fierit ka dhënë detaje nga vrasja makabre e 56-vjeçarit Anesti Rama, i cili dyshohet se u dhunua dhe u mbyt me tel.
Prokuroria ka marrë të pandehur vajzën e tij Emalinda Rama dhe Çlirim Dogani, që dyshohet se e reja kishte një lidhje intime. Po ashtu, e pandehur është marrë dhe bashkëshortja e viktimës, Valbona Rama, e cila dyshohet se ndihmoi në fshehjen e gjurmëve duke fshirë gjakun.
Në njoftim thuhet se më 23 korrik, rreth orës 21:16 në Sallën Operative Fier, u bë një telefonatë ku kërkohej dërgimi i ambulancës, pasi Anesti Rama ishte dëmtuar në ambientet e tualetit të banesës së tij të ndodhur në fshatin Frashër.
Vajza dhe gruaja i thanë policisë se e kishin gjetur 56-vjeçarin në tualetin e banesës pa shenja jete dhe të gjakosur, kishin njoftuar fqinjët se ky shtetas ishte rrëzuar në tualet dhe në vijim ishte njoftuar ambulanca dhe policia. Ato e kanë lëvizur të ndjerin nga tualeti, e kanë pastruar dhe veshur, me qëllim kryerjen e riteve mortore, si dhe kanë pastruar vendin e ngjarjes.
Por pas hetimeve, policia pa shenjat e e dhunës dhe prerjet që dëshmonin se ngjarja nuk ishte aksidentale por një krim.
Njoftimi i Prokurorisë:
Dyshime se vrau babain në bashkëpunim me një person tjetër, Prokuroria Fier procedon penalisht tre shtetas për dy vepra penale.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier regjistroi procedimin penal nr.1073, datë 24.07.2025 për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 79/c dhe 25 të Kodit Penal dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal ndaj tre shtetasve E.R. V.R. dhe Ç.D.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se, në datë 23.07.2025, rreth orës 21:16 në Sallën Operative Fier, u bë një telefonatë ku kërkohej dërgimi i ambulancës, pasi një shtetas ishte dëmtuar në ambientet e tualetit të banesës së tij të ndodhur në fshatin Frashër.
Ambulanca e Spitalit Rajonal Fier ka shkuar në banesën e shtetasit A.R., të cilin e ka gjetur të shtrirë në sallonin e banesës së tij, të veshur me kostum dhe këmishë. Personeli mjekësor konstatoi se shtetasi A.R. kishte humbur jetën dhe ka njoftuar Sallën Operative se “personi për të cilin kërkuan ndihmë mjekësore është i vdekur”.
Në zbatim të procedurës hetimore të parashikuar në raste të tilla, në vendin e ngjarjes shkoi grupi hetimor. Nga këqyrja e jashtme e trupit të të ndjerit, u konstatua se ai kishte çarje në pjesën ballore, çarje mbi vetull, një dërmishje mbi vetullën e djathtë, si dhe dëmtime të tjera.
E bija e të ndjerit, shtetasja E.R. dhe bashkëshortja e tij, shtetasja V.R., i deklaruan grupit hetimor se e kishin gjetur të ndjerin në tualetin e banesës pa shenja jete dhe të gjakosur, kishin njoftuar fqinjët se ky shtetas ishte rrëzuar në tualet dhe në vijim ishte njoftuar ambulanca dhe policia. Ato e kanë lëvizur të ndjerin nga tualeti, e kanë pastruar dhe veshur, me qëllim kryerjen e riteve mortore, si dhe kanë pastruar vendin e ngjarjes.
Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, përfshirë edhe përdorimin e metodave proaktive të hetimit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetases E.R., e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 79/c dhe 25 të Kodit Penal, i shtetases V.R. e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal, si dhe ndalimi me iniciativë i shtetasit Ç.D., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 79/c dhe 25 të Kodit Penal.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier kërkoi vleftësimin e ligjshëm të arrestimeve dhe të ndalimit, si dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për të tre personat nën hetim, kërkesa të cilat u pranuan nga gjykata.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave që kryejnë vepra penale kundër jetës.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.