FIFA ndryshon historinë, Chelsea njihet si kampioni i parë zyrtar i Botërorit të Klubeve! Ja si do të quhen fituesit e mëparshëm

Një vendim befasues nga FIFA ka ndryshuar historinë e futbollit të klubeve. Chelsea është shpallur fituesi i parë zyrtar i Kupës së Botës për Klube, sipas formatit të ri që nisi në vitin 2025, ndërsa të gjithë fituesit e mëparshëm nuk konsiderohen më kampionë të botës.
Turneu më i fundit, i zhvilluar në SHBA me pjesëmarrjen e 32 skuadrave, u fitua bindshëm nga “Blutë” e Londrës, që mposhtën Paris Saint-Germain në finale me rezultatin 3-0. Ky sukses ka marrë tashmë një rëndësi të veçantë, pasi FIFA e ka njohur si titullin e parë të vetëm zyrtar të Botërorit për Klube, në formatin që federata synon të ruajë për vitet në vijim.
Çfarë ndodh me fituesit e mëparshëm?
Në të njëjtin vendim, FIFA ka riklasifikuar të gjitha trofetë e mëparshëm të Botërorit për Klube, duke i kategorizuar si “FIFA Intercontinental Champions”.
Kjo do të thotë se klube si: Real Madrid (me 5 trofe të mëparshëm), Barcelona, Manchester United, Liverpool, Manchester City, Bayern Munich, Inter, Milan dhe shumë të tjera, nuk njihen më si kampionë të botës, por vetëm si fitues të një turneu ndërkontinental që nuk ka statusin e Kupës së Botës për Klube.
FIFA ka theksuar se ky ndryshim është bërë për të ndarë qartë turneun e ri – me pjesëmarrje të gjerë dhe strukturë të barabartë – nga formatet e kaluara me numër të kufizuar ekipesh dhe përfaqësime më pak përfshirëse.
Ky vendim ka ngjallur debat në rrjetet sociale dhe në komunitetin futbollistik. Disa tifozë e quajnë një “fshirje historike” që nënvlerëson sukseset e gjigantëve si Real Madrid dhe Barça, ndërsa të tjerë besojnë se ky është një hap i duhur për të krijuar një standard të qartë për trofetë e ardhshëm.
Chelsea, që më parë kishte fituar Botërorin e Klubeve në vitin 2021, tashmë konsiderohet fituesi i vetëm “zyrtar” sipas definicionit aktual të FIFA-s.
Ky vendim i FIFA-s shënon një kthesë historike dhe rishkruan renditjen e lavdisë botërore për shumë prej klubeve më të mëdha në histori. Në vitet që vijnë, do të shihet nëse kjo reformë do të pranohet me entuziazëm apo do të vazhdojë të sfidohet nga tradita dhe tifozët e hershëm të futbollit./gsh