BotaShëndet

Shënjuesi atomik në trupin tënd: Pasojat e padukshme të bom*ave bërth*more

Kanë kaluar 80 vjet që nga shpërthimi i parë bërthamor në New Mexico, testi “Trinity”. Edhe sot, pasojat e tij të padukshme gjenden brenda qelizave tona dhe po u shërbejnë shkencëtarëve në mënyra të papritura.

Shkencëtarët e quajnë atë “spike” ose “pulsi i bombës”, një shenjë që ndodhet në dhëmbët, trurin dhe sytë tanë. Që nga viti 1945, kur u zhvillua testi “Trinity”, mijëra km2 u kontaminuan nga grimcat radioaktive. Por ato nuk ishin pasoja të vetme. Në vitet ’50, shpërthimet bërthamore në atmosferë ndryshuan përbërjen kimike të ajrit, duke rritur nivelin e karbonit-14 (C-14), një izotop radioaktiv që kaloi nga atmosfera në bimë, kafshë dhe më pas në trupin e njeriut.

Ndryshe nga rrezatimi i rrezikshëm, prania e C-14 në trup nuk është e dëmshme. Përkundrazi, ajo është kthyer në një mjet të vyer për shkencëtarët. Pulsi i bombës i ka ndihmuar ata të përcaktojnë datën e lindjes apo të vdekjes së një personi, të zbulojnë origjinën e kafshëve të trafikuara, të përcaktojnë moshën e qelizave të trurit, madje edhe të datojnë verërat.

Përpara vitit 1963, kur hyri në fuqi ndalimi i testeve bërthamore atmosferike, mbi 500 bomba u shpërthyen në ajër, kryesisht nga SHBA dhe Rusia. Këto shpërthime rritën sasinë e C-14 në atmosferë gati dyfish. Ky izotop më pas u përhap në të gjitha “rezervuarët e karbonit”, duke përfshirë oqeanet, tokën, bimësinë dhe njeriun. Që nga fundi i viteve ’50, çdo qenie që ka pasur shkëmbim karboni me atmosferën ka marrë gjurmë të këtij C-14 të veçantë, të ashtuquajturit “bomb carbon”.

Image

Fillimisht, C-14 përdorej për të datuar fosile të vjetra mijëra vjet, pasi ai shpërbëhet me një ritëm shumë të ngadaltë, gjysmëjetë 5730 vjet. Por kjo metodë nuk funksionon për mostrat e kohëve të fundit. Në fund të shekullit XX, shkencëtarët kuptuan se pulsi i bombës mund të përdoret për të datuar organizma të krijuar brenda 70–80 viteve të fundit, me saktësi prej 1-2 vitesh.

Kjo do të thotë se nëse ke lindur në vitet ’50, trupi yt përmban më shumë C-14 se dikush i lindur në vitet ’80, megjithëse nivelet sot janë kthyer pranë normalitetit.

Përdorimi në mjekësi dhe në mjekësi ligjore 

Një nga përdorimet më të hershme ishte në kriminalistikë: matja e C-14 në dhëmbë, eshtra, flokë apo kristalinë syri ndihmon për të përcaktuar moshën apo vitin e vdekjes së një personi. Në vitin 2010, kjo metodë ndihmoi në zgjidhjen e një rasti në Itali, ndërsa në 2004 u përdor për të dokumentuar një krim nazist në Ukrainë.

Përdorimi i pulsit të bombës në mjekësi solli zbulime të rëndësishme. Në 2005, biologia Kirsty Spalding dhe kolegët e saj zbuluan se mund të përcaktonin moshën e qelizave në trup përmes C-14 në ADN. Ata zbuluan se trupi zëvendëson vazhdimisht qelizat yndyrore, numri i tyre mbetet konstant te të rriturit. Ky zbulim hapi mundësi të reja për trajtimin e obezitetit përmes kontrollit të lindjes apo vdekjes së këtyre qelizave.

Në 2013, e njëjta teknikë tregoi se në hipokamp, zonë e trurit e lidhur me kujtesën, krijohen neuronë të rinj edhe te të rriturit. Kjo hodhi poshtë bindjen e mëparshme se truri nuk krijon neuronë pas fëmijërisë. Megjithëse debati vazhdon, ky është një nga zbulimet më të rëndësishme në neuroshkencë në dy dekadat e fundit.

Një epokë e re gjeologjike

Pulsi i bombës po shërben edhe si propozim për të përcaktuar fillimin zyrtar të epokës së Antropocenit, periudha ku ndikimi i njeriut në Tokë është i pakthyeshëm. Si çdo epokë tjetër gjeologjike, Antropoceni ka nevojë për një “shpik të artë”, një vend specifik në shtresat e Tokës që tregon fillimin e saj.

Në vitin 2016, Grupi i Punës për Antropocenin propozoi vitet ’50 si pikën fillestare, kur u rrit ndjeshëm C-14 në sedimentet e Tokës, krahas elementëve të tjerë si plutoni, ceziumi-137 dhe grimcat e karbonit të prodhuara nga djegia e qymyrit.

Image

Pas analizimit të 12 vendeve kandidatë, në korrik 2023 grupi propozoi si pikën zyrtare një liqen në Ontario të Kanadasë, Crawford Lake. Sedimentet e tij përmbajnë gjurmë të C-14 dhe plutonit, duke përfaqësuar më qartë ndryshimet njerëzore në Tokë. Megjithatë, në mars 2024 propozimi u refuzua nga Komisioni Ndërkombëtar i Stratigrafisë, për shkak të mosmarrëveshjeve shkencore dhe burokratike.

Nëse liqeni miratohet ndonjëherë si “shpika e artë” e Antropocenit, atëherë edhe ne, brezi i mesit të shekullit XX, do të mbajmë në trupin tonë një shenjë të kësaj epoke të re. Brezat e ardhshëm jo, pasi C-14 po kthehet në nivelet para-bërthamore. Kjo do të thotë se arkeologët e së ardhmes mund të gjejnë në trupat tanë të ruajtur gjurmën e një epoke të veçantë, një kohë bombash atomike, përshpejtimi industrial dhe ndikimi i paprecedentë i njeriut në planet. / BBC – Syri.net

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button