Futbollisti më i vjetër në botë është 58-vjeç, por nuk ndalet: Synoj të luaj deri në moshën 80-vjeçare

Kazuyoshi Miura është futbollisti më i vjetër në botë aktualisht.
Lojtari japonez është 58 vjeç dhe luan me ekipin Atletico Suzuka në divizionin e katërt të futbollit japonez.
Ai e kishte nisur karrierën profesioniste në vitin e largët 1986, ndërsa që atëherë nuk është ndalur.
Sulmuesi japonez madje nuk e ka ndërmend të ndalet.
Ai ia ka vënë vetes synim që të luajë edhe të paktën 20 vjet.
“Pas dy vjetësh do të jem 60 vjeç. Në ditën që do ta ndiej se nuk po mund të vazhdoj, do të ndalem. Por, sinqerisht do të doja të luaj futboll deri në moshën 80-vjeçare”, deklaroi Miura.
Gjatë karrierës, futbollisti i lindur në vitin 1967 në Shizuoka, ka luajtur në klube të shumta, përfshirë këtu Santos, Palmeiras, Matsubara, CRB, XVde Jau, Coritiba, Verdy Kawasaki, Genoa, Dinamo Zagreb, Kyoto Purple Sanga, Vissel Kobe, Yokohama FC, Sydney FC, Suzuk Point Getters, Oliveirense dhe aktualisht në Atletico Suzuka, me të cilin i ka zhvilluar 12 ndeshje nga viti i kaluar.
Ai gjithashtu kishte luajtur edhe për Kombëtaren e Japonisë dhe për Kombëtaren Japoneze të Futsallit.
Ndonëse tani nuk luan rregullisht për shkak të moshës së madhe, ai është në gjendje të mirë fizike dhe mundohet ta japë kontributin e tij kur t’i jepet rasti.