Bota

Vërtetohet që udhëtimi në kohë pa paradokse është i mundur

Në një artikull të analizuar nga kolegët, një shkencëtar thotë se ka vërtetuar matematikisht mundësinë fizike të një lloji të caktuar të udhëtimit në kohë. Artikulli është botuar në revistën Classical and Quantum Gravity.

Germain Tobar dhe Fabio Costa, të dy nga Universiteti i Queensland-it në kohën e publikimit të studimit, punuan së bashku për këtë kërkim. Në punimin “Dinamika e kthyeshme me kurba të mbyllura të ngjashme me kohën dhe liria e zgjedhjes,” Tobar dhe Costa thonë se kanë gjetur një rrugë të ndërmjetme matematikore që zgjidh një paradoks logjik të madh në një model të udhëtimit në kohë. Le ta zbërthejmë pak.

Vetë matematika është e ndërlikuar, por në thelb përkufizohet në diçka mjaft të thjeshtë. Diskutimet mbi udhëtimin në kohë përqendrohen te kurat e mbyllura të ngjashme me kohën (CTC – Closed Time-like Curves), një koncept që u propozua fillimisht nga Albert Ajnshtajni. Tobar dhe Costa thonë se, për sa kohë që vetëm dy pjesë të një skenari të tërë brenda një CTC-je mbeten në “rend kauzal” në momentin kur largohesh, pjesa tjetër i nënshtrohet vullnetit të lirë lokal.

“Rezultatet tona tregojnë se CTC-të janë jo vetëm të përputhshme me determinizmin dhe me ‘zgjedhjen e lirë’ lokale të veprimeve, por edhe me një gamë të pasur dhe të larmishme skenarësh dhe procesesh dinamike,” përfundojnë ata në artikullin e tyre.

Në një deklaratë, Costa e ilustron shkencën me një analogji:

“Le të themi se udhëton në kohë, për të ndaluar pacientin zero të COVID-19 nga ekspozimi ndaj virusit. Megjithatë, nëse ti e pengon atë person të infektohet, kjo do të hiqte motivimin tënd për të udhëtuar në kohë dhe për të ndaluar pandeminë që në fillim. Ky është një paradoks, një mospërputhje që shpesh i bën njerëzit të mendojnë se udhëtimi në kohë nuk mund të ndodhë në universin tonë. Logjikisht është e vështirë ta pranosh, sepse kjo do të ndikonte në lirinë tonë për të ndërmarrë çdo veprim të çfarëdoshëm. Kjo do të nënkuptonte që mund të udhëtosh në kohë, por nuk mund të bësh asgjë që do të shkaktonte një paradoks.”

Disa nga rezultatet e kësaj ndahen si “efekti flutur”, i cili i referohet pasojave të mëdha dhe të paqëllimshme nga veprime të vogla. Por e vërteta, në kuptimin e rezultateve matematikore, është më shumë si një përrallë klasike tjetër: dora e majmunit. Bëj kujdes çfarë dëshiron dhe çfarë udhëtimi në kohë dëshiron të realizosh.

Tobar e shpjegon këtë në deklaratë:

“Në shembullin e pacientit zero të koronavirusit, ti mund të përpiqesh ta ndalosh atë nga infektimi, por duke bërë këtë ti vetë do ta merrje virusin dhe do të bëheshe pacienti zero, ose dikush tjetër do ta bëhej. Sido që të veproje, ngjarjet kryesore thjesht do të rikalibroheshin rreth teje. Sado të përpiqeshe të krijoje një paradoks, ngjarjet do të përshtateshin gjithmonë për të shmangur çdo mospërputhje.”

Edhe pse kjo mund të tingëllojë zhgënjyese për dikë që përpiqet të parandalojë një pandemi apo të vrasë Hitlerin, për matematikanët kjo ndihmon për të zbutur një pengesë themelore në mënyrën se si mendojmë për kohën. Ajo përputhet gjithashtu me zbulimet kuantike nga Los Alamos, për shembull, dhe me mënyrën se si matematika e ecjes së rastësishme sillet në një dhe dy dimensione.

Të paktën, ky kërkim sugjeron që kushdo që një ditë do të projektojë një mënyrë të mirëfilltë për të udhëtuar në kohë, mund ta bëjë këtë dhe të eksperimentojë pa frikën bazë se do ta shkatërrojë botën, të paktën jo menjëherë. / Popular Mechanics – Syri.net

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button