Shëndet

Farat chia: Superushqimi i vogël që po bën bujë në botën e mirëqenies

Të vogla, por me vlera të mëdha ushqyese, farat chia janë kthyer në një fenomen të vërtetë në botën e shëndetit dhe mirëqenies.

Dikur pjesë e dietës së përditshme të qytetërimeve Azteke dhe Maja, sot ato përdoren në çdo formë – nga pudingu me qumësht dhe mjaltë, deri te reçeli me fruta pylli apo edhe kerri me pulë. Nutricionistët i konsiderojnë një “superushqim” falë përmbajtjes së tyre të lartë në yndyra omega-3, proteina të plota, fibra dhe mikronutrientë të rëndësishëm si kalciumi, hekuri dhe magnezi.

Sipas dietologes Nichola Ludlam-Raine, një lugë gjelle (15g) fara chia përmban mesatarisht 63 kalori, 5.1g fibra, 3.6g proteina dhe rreth 2400mg omega-3 ALA. Kjo i bën jashtëzakonisht të dobishme për tretjen, zemrën, hormonet dhe shëndetin e lëkurës, por ato mund të ndihmojnë edhe në menaxhimin e peshës, pasi fibra dhe proteinat krijojnë ndjesinë e ngopjes.

Për më tepër, një numër studimesh kanë treguar se ato mund të përmirësojnë qarkullimin, të reduktojnë inflamacionin dhe të ulin trigliceridet – faktorë kyç për shëndetin kardiovaskular. Fibrat e tretshme që gjenerojnë xhel ndihmojnë në rregullimin e jashtëqitjes dhe përmirësojnë thithjen e lëndëve ushqyese. Ndërkohë, përmbajtja e tyre e lartë në antioksidantë si acidi klorogjenik, quercetina dhe kaempferoli, kontribuon në ngadalësimin e plakjes dhe mbrojtjen nga sëmundje kronike.

Ekspertët rekomandojnë konsumimin e 1-2 lugëve gjelle në ditë, duke i lagur ose bluar më parë për përthithje më të mirë të vlerave. Megjithatë, kujdesi është i nevojshëm për personat me probleme gastrointestinale apo ata që marrin hollues gjaku, pasi farat chia mund të shkaktojnë fryrje, shqetësime tretjeje apo të forcojnë efektin antikoagulues.

Nëse përfshihen me kujdes në një dietë të ekuilibruar, farat chia nuk janë thjesht një trend i rrjeteve sociale, por një burim i vërtetë energjie dhe shëndeti për trupin./ The telegraph – Syri.Net

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button