Kina zhvillon bletët-spiune: Pajisen me kamera dhe përgjues, komandohen me impulse elektrike

Shkencëtarët në Kinë kanë realizuar një nga eksperimentet më të avancuara të ndërthurjes mes biologjisë dhe teknologjisë: kanë shndërruar bletët në robotë të komanduar nga njeriu. Përmes një pajisjeje tepër të vogël – më e lehtë se maja e një lapsi – e vendosur në pjesën e pasme të bletës dhe të lidhur me trurin e saj, studiuesit kanë arritur ta drejtojnë insektin në ajër sipas dëshirës.
Pajisja fut impulse elektrike në lobin optik – pjesa e trurit që përpunon informacionin vizual – duke e detyruar bletën të kthehet majtas apo djathtas. Në 90 për qind të testimeve, bletët i janë bindur komandave të dërguara nga shkencëtarët, duke i shndërruar ato praktikisht në agjentë të programueshëm ajrorë.
Ky zhvillim është bërë në Institutin e Teknologjisë në Pekin dhe është publikuar në revistën shkencore Chinese Journal of Mechanical Engineering. Sipas kërkuesve, “bletët robotike” mund të kenë një gamë të gjerë përdorimesh – nga misionet e shpëtimit në zona të vështira për t’u arritur, deri te operacionet ushtarake dhe zbulimet sekrete. Pajisjet mund të pajisen me kamera, mikrofonë apo sensorë që mbledhin dhe regjistrojnë informacion në terren.
Falë përmasave të tyre të vogla, këto bletë robotike mund të futen në hapësira të ngushta pa u vënë re, çka i bën të vlefshme për operacione ku diskrecioni është kyç.
Edhe vende të tjera si SHBA-ja dhe Japonia raportohen se janë në garë për zhvillimin e teknologjive të ngjashme, duke shënuar një garë të re për dominimin teknologjik në fushën e ndërthurjes mes kafshëve dhe robotikës.