Rama i bën për “ujë të ftohtë”: Të gjithë kryetarët e njësive administrative duhet të shkarkohen brenda të hënës. Kjo vlen edhe për…

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me kryetarët e bashkive për performancën e pushtetit vendor në funksion të vizionit “Shqipëria 2030” në BE.
Në nisje të fjalës së tij kreu i qeverisë theksoi se pushteti vendor ka një rol të posaçëm për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Jemi këtu së bashku me ministrin e Pushtetit Vendor, zëvendëskryeministren dhe një sërë drejtuesish të institucioneve të lidhura drejtpërdrejt me aktivitetin e pushtetit vendor, për të adresuar disa çështje që i konsiderojmë shumë të rëndësishme në mbarëvajtjen e punës së pushtetit vendor, por edhe më shumë se kaq në ecurinë e përgjithshme të ecurisë së vendit për të realizuar objektivin madhor të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Pushteti vendor ka një rol të posaçëm për integrimin në BE. Jemi këtu se jo shumë kohë më parë kemi marrë 83 mandate, një rekord historik për një forcë politike, që na ngarkoi me një barrë shumë më të madhe se ajo që kemi pasur. Nga ana tjetër, janë edhe një test i jashtëzakonshëm i karakterit tonë”, tha Rama.
Rama theksoi po ashtu se duhet të adresohen disa problematika kyçe, kryesisht në vende ku ka fluks më të lartë të turistëve.
“Duhet të bëjmë një adresim të përgjithshëm të disa problematikave kyçe, që fatkeqësisht karakterizojnë sot qytetet e mëdha dhe qytete me një ngarkesë të posaçme të fluksit turistik të Shqipërisë, ku dobësia e pushtetit vendor ka dalë në pah edhe si rezultat i pikërisht një ndryshimi shumë të madh të të gjithë mënyrës së funksionimit të vendit, për shkak të faktit se vendi tanimë nuk mban vetëm banorët e vet, por mban edhe një ngarkesë ekstra turistësh dhe vizitorësh që vjen në rritje dhe sjell me vete sfida të reja të komplikuara dhe ngarkesa të mëdha ekstra për pushtetin vendor, posaçërisht në territoret ku përqendrimet e vizitorëve dhe turistëve janë më të mëdha. Një nga gjërat që vihet re është edhe nxitja e brendshme e biznesit për të kapërcyer kufijtë e paravendosur të veprimtarisë së vet, në formën e daljes përtej tyre dhe të zaptimeve të territorit, po ashtu edhe deri të ndërtimet pa leje në territoret ku vëmendja është më e vogël. Apo si në Vlorë, ku kryetari i bashkisë dhe strukturat atje i kanë sytë gjysmë të hapur, gjysmë të mbyllur”, tha Rama.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se qeveria është në një fazë të avancuar për vendosjen e një sistemi të monitorimit të ndërtimit në territor, njësoj si ai i monitorimit të trafikut, duke përdorur teknologji të avancuar si dronë dhe satelitë, në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara.
“Po ndërtojmë një sistem të kontrollit teknologjik mbi territorin, për të garantuar që ndërtimet të jenë të monitoruara në kohë reale, njësoj siç ka nisur puna për trafikun. Tani duam të bëjmë të njëjtën gjë me ndërtimet, me qendra të dedikuara monitorimi,” u shpreh Rama.
Ai bëri të ditur se Agjencia e Zhvillimit të Territorit ka hartuar një rregullore të re që detyron kompanitë ndërtuese të pajisin kantierët e tyre me kamera online 24 orë në ditë dhe me sisteme GPS, për të ndjekur në kohë reale lëvizjet e mjeteve, materialeve ndërtimore dhe menaxhimin e mbetjeve.
Çdo ndërtim me qëllim fitimi duhet të jetë i monitoruar. Kjo është në funksion të transparencës dhe ndalimit të evazionit,” tha Rama, duke shtuar se teknologjia do të ndihmojë edhe në ndalimin e ndërtimeve pa leje.
Një tjetër masë e paralajmëruar nga kryeministri është forcimi i rolit të arkitektëve në procesin e ndërtimit. Ai paralajmëroi ndëshkime të ashpra për ata arkitektë që bashkëpunojnë me ndërtues për të shkelur lejet.
“Arkitektët që shkelin lejet nuk do të kenë më licencë dhe do të përballen me pasoja penale, si në çdo vend normal. Leje shfrytëzimi pa firmën e arkitektit nuk do të jepet më,” tha ai.
Rama theksoi nevojën për rregull të plotë edhe në lidhjen e energjisë elektrike dhe ujit, duke propozuar që asnjë ndërtim pa leje të mos mund të lidhet me këto shërbime në mënyrë të paligjshme.
SHKARKIMET NUK NDALEN
Kryeministri dhe njëherazi kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka kërkuar shkarkimin të gjithë krerëve të njësive administrative, për ti hapur rrugë konkurimit për ata që duan të japin kontributin e tyre për vendin.
Rama gjatë një takimi me krerët e bashkive në Durrës tha se duhet të ndiqet shembulli i Bashkisë së Cerrkut sa i takon përpunimit të mbetjeve, duke i shndërruar në produkte ekonomike,.
“Mund ta di unë pse Bashkia e Cerriku u bë tre vjet që i përpunon të gjitha mbetjet e fshatit, jo vetëm i përpunon dhe i kthen në produkt, shitje dhe pse nuk e kanë të tjerët këtë gjë. Më duket se e ka bërë dhe Roskoveci. Përse nuk e kanë bërë dhe të tjerët? Nuk është një inovacion që është bërë në Japoni dhe s’po e bëjmë dot se se ka as Italia, përse nuk e kanë të gjitha bashkitë përse nuk vrapon ti si në Cerrik?
Shqipëria është sa një bashki e madhe në Evropën, përse duhet të rrimë të presim, e vetmja gjë kërkojmë fonde nga qeveria. Për çdo gjë, burra duam fonde nga qeveria. Çtë bëjë qeveria, të marri borxhit të japi lekë.
Ndërkohë që ka mundësira të pafundme për të prodhuar. Këto janë gjërat që kisha unë”, tha Rama.
Rama kërkoi kryetari i njësisë që mbulon varrezat në Elbasan, duhet të largohet.
Për sa i përket kryetarëve të ps në Bashki, të gjithë kryetarët e njësive duhet të shkarkohen, të gjithë duhet të shkarkohen. Dhe tu rijepet mundësia, por duke hapur mundësinë dhe për të tjerët që të tregojnë se janë më të zotë se ata. Votat që kemi marrë më shumë se çdo herë tjetër, e kanë rritur diferencën për sa jemi në anëtarë partie dhe atyre që duan këtë parti në krye.
“Shqipërinë në BE në 2030, s’mund të bëjmë të njëjtat gabime, duhet të bëjmë të tjera gjëra dhe një nga gjërat kryesore është tu japim një mundësi të re njerëzve për të kontribuar për këtë vend. Drejtorë dhe kryetarë njësisë, nuk I fus të gjithë në një thes, pasi ka dhe kryetarë njësisë, siç është ai i Novoselës që ka 30 vite aty. Kryetari ni njësisë që ka varrezat në Elbasan, duhet shkarkuar pa kthim. Aty nis gjithçka, deri sa vjen dhe tek kryetari i Bashkisë”, nënvizoi Rama, duke shtuar se shpreson që dorëheqja të jetë dorëzuar nga krerët e njësive./OraNews