Deklarimi i vendbanimit vetëm elektronikisht, ja si ndryshon procedura

Qeveria shqiptare ka miratuar një vendim të rëndësishëm për modernizimin dhe digjitalizimin e regjistrimit të vendbanimit dhe vendqëndrimit të shtetasve në vend. Vendimi, i mbështetur në nenin 100 të Kushtetutës dhe ligjin “Për gjendjen civile”, synon të thjeshtojë procedurat dhe të përmirësojë aksesin nëpërmjet përdorimit të platformës shtetërore “e-Albania”.
Sipas ndryshimeve të reja, çdo shtetas që ka vendbanim ose vendqëndrim në territorin e Shqipërisë duhet të deklarojë, ndryshojë ose saktësojë adresën e tij vetëm në mënyrë elektronike. Për këtë qëllim, duhet të ngarkohet online dokumentacioni përkatës, përfshirë aktet e pronësisë, kontratat e qirasë, huadhënies apo çdo dokument tjetër ligjor që provon adresën e deklaruar.
Ndryshimet përfshijnë edhe rregulla të qarta për bashkëjetesën familjare. Në rastet kur një shtetas kërkon të bashkohet me një familje ekzistuese, kërkesa duhet të bëhet online dhe të konfirmohet nga kryefamiljari përmes të njëjtës platformë, duke respektuar kriteret e përcaktuara për standardet e banimit.
Të gjitha dokumentet e ngarkuara ruhen në mënyrë të sigurt në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Gjithashtu, çdo ndryshim i adresës nga kryefamiljari do të pasqyrohet për të gjithë anëtarët e familjes, përveç rasteve kur një anëtar madhor zgjedh të veçohet dhe të ketë adresë të veçantë.
Vendimi përfshin edhe dispozita të veçanta për kategoritë e shtetasve që qëndrojnë në institucione shëndetësore apo ato të ekzekutimit të vendimeve penale. Institucionet përkatëse janë të detyruara të njoftojnë zyrat e gjendjes civile për personat që qëndrojnë më shumë se tre muaj, brenda një afati 48-orësh. Po ashtu, njoftimi për përfundimin e qëndrimit duhet të bëhet brenda 5 ditëve.
Shkëmbimi i të dhënave ndërmjet institucioneve dhe zyrave të gjendjes civile do të realizohet përmes platformës qeveritare të ndërveprimit, duke synuar një administrim më efikas, transparent dhe në kohë reale të të dhënave të shtetasve shqiptarë.