Këto janë ushqimet që ulin rrezikun e vdekjes së parakohshme

Një dietë e pasur me arra, fara, vajra bimore si dhe ushqime si linit dhe brokoli, lidhet me ulje të rrezikut të vdekjes së parakohshme, sipas një studimi të publikuar në revistën mjekësore prestigjioze British Medical Journal.
Më konkretisht, studimi zbuloi se personat që konsumonin sasi të larta të acidit alfa-linolenik (ALA), kishin një rrezik për vdekje nga të gjitha shkaqet rreth 10% më të ulët, krahasuar me ata që kishin konsum më të ulët të këtij acidi yndyror.
ALA është një lloj i acideve yndyrore omega-3. Kujtojmë se në familjen e omega-3 përfshihen edhe EPA (acidi eikozapentaenoik) dhe DHA (acidi dokozaheksaenoik), të cilat gjenden kryesisht në peshqit dhe ushqimet detare, ndërsa ALA gjendet në burime bimore, si farat e linit, portulaka dhe brokoli.
Rezultatet e studimit treguan se reduktimi më i madh i rrezikut të vdekjes ishte i lidhur me sëmundjet kardiovaskulare dhe problemet me enët e gjakut.
Ndërkohë, u vu re një rritje e lehtë e rrezikut për vdekje nga kanceri tek ata që konsumonin më shumë ALA, megjithatë autorët theksuan se ky rezultat kërkon më shumë hulumtime për t’u konfirmuar.
Ky përfundim vjen nga një analizë e gjerë që përfshiu 41 studime të mëparshme, të cilat monitoruan pjesëmarrësit për një periudhë nga 2 deri në 32 vite.
Gjatë kësaj periudhe u regjistruan 198.111 vdekje në total, nga të cilat 62.773 ishin për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare dhe 65.954 për shkak të kancerit.
Studimi përfshiu rreth 120.000 persona të moshës 18 deri në 98 vjeç, dhe mori në konsideratë faktorë të ndryshëm si mosha, pesha, duhanpirja, konsumimi i alkoolit dhe aktiviteti fizik.
Studiuesit nga Universiteti i Shkencave Mjekësore në Teheran theksuan se rezultatet e tyre tregojnë një lidhje të qartë mes konsumimit të lartë të ALA-së dhe reduktimit të rrezikut të vdekjes së parakohshme.
Sipas tyre, çdo rritje prej 1 grami në marrjen ditore të ALA-së lidhet me një ulje prej 5% të rrezikut për vdekje nga sëmundjet kardiovaskulare.