“Në proces-verbalin e hetuesisë për vrasjen e kryetarit të Degës së Brendshme të Tepelenës, thuhet se u eliminua nga…”/ Ana e panjohur e Kryengritjes së Zhapokikës

Një kryengritje kundër regjimit komunist, ka ndodhur në vitin 1948. Ajo nuk ka qenë popullarizuar shumë, ndërsa ka qenë objekt studimi i studiuesve Uran Butka e Sadik Bejko. Kryengritja që njihet si e Zhapokikës, për shkak të emrit të fshatit ku u zhvillua, është lëvizja më e njohur e kësaj kohe e ndodhur në Jug të Shqipërisë. Zhapokika është një fshat në Tepelenë. Revolta e shpërthyer në këtë fshat, ka si pikënisje pakënaqësinë e fshatarësisë së atjeshme ndaj regjimit komunist, kundër pushtetit të tij, e si mbrojtje ndaj të keqes që kishte pllakosur Shqipërinë.
Fshatarët e Zhapokikës kanë protestuar kundër komunizmit pasi e kanë kuptuar se nga ai e kishin pësuar të gjithë. Shkatërrimi i bazës ekonomike në fshat, tatimet e rënda, marrja e tokës, bagëtisë etj., i kishin bërë fshatarët e zonës shumë të pakënaqur. “Ky pushtet na mori tokën, pasurinë dhe na la në të keq” – shpreheshin të dënuarit. Xhemal Brahimi, ishte një ndër të dënuarit e Lëvizjes.
Ai ishte aktivizuar në Luftën Antifashiste, në radhët e “Ballit Kombëtar”. Ai mundi të mbante kontakte me fshatrat e Tepelenës, si Zhapokika, Luftinja, Kamçishti, Salaria, Plashniku, Levani, Gllava, etj. Agjitacioni që zhvillonte Xhemali me fshatarët, kishte të bënte me gjendjen e keqe të tyre, se antikomunistët përkraheshin jashtë vendit, se anglo-amerikanët do ndërhynin, etj.
Krijimi i çetës antikomuniste
Në përpjekjen e tij, Xhemali u mbështet me ish-xhandarin Bajram Ahmetaj, ish-funksionarin në fshat, Mehmet Yzeiri, policin Salo Kalo, bujqit Sefer Yzeiri e Safet Kamberi, ish-majorin Sulo Zaimi, etj. Lëvizja kishte lidhje me zonat Mallakastër, Gjirokastër e Berat. Me anë të kësaj propaganda, ato arritën të bëjnë rreth 25 persona të armatosur. Më 20 shtator 1948, u formua çeta “Baba Shefqet”, për nder të klerikut bektashi të pushkatuar nga komunistët më 14 janar 1948. Flamuri i çetës ishte flamuri kombëtar pa yllin e kuq komunist. Pjesëtarët e çetës ishin betuar se nuk do të tradhtonin. Më 28 shtator 1948, u zgjodh me votim, komanda e çetës:
Xhemal Brahimi – komisar politik
-Mehmet Yzeiri – nënkomandant
-Sefer Yzeri – kryetar i skuadrës së atentatorëve
Çeta i caktoi si detyrë vetes, të lidhej me grupet e tjera antikomuniste, derisa në Shqipëri të krijohej një qeveri nacionaliste demokratike. Shumica e anëtarëve të çetës, ishin nga Zhapokika e Luftinja. Çeta, duke e konsideruar veten edhe si grup politik, zhvilloi disa mbledhje. Të parën e bëri në vendin e quajtur Ledhi i Madh, mbledhjen e dytë, në malin e Zhapokikës dhe tjetra, në Kamçist. Nga ky zhvillim dhe shtratin ku ajo zhvillohej, formacioni erdhi në rritje.
Ndikonte për mirë këtu fakti, se veprimtaria zhvillohej në zona malore dhe se regjimi nuk mund ta kuptonte se pikërisht në Tepelenë, mund të kishte probleme të mëdha, me rrëzimin e tij. Forcat e regjimit shkojnë të arrestojë Gani Kodhelin, i ftuar më parë nga çeta, për t’u bashkuar me të, por që ky nuk kishte pranuar. Në këtë moment, çeta qëllon mbi policinë dhe Ganiu kësaj here i bashkohet çetës. Më 2 tetor 1948, çeta sulmoi Forcat e Ndjekjes, pasi këta kishin ndaluar 3 antikomunistë. Forcat qeveritare u tërhoqën pas këtij sulmi të çetës.
Forcat e regjimit komunist, ishin vënë tashmë në ndjekje. Pasi çau rrethimin në Plashnik e Molisht, çeta mori drejtimin e Beratit, por u godit në Gllavë më 8 tetor 1948. U vranë dy vetë nga forcat qeveritare, kurse nga çeta, u vranë Mehmet Yzeiri dhe Salo Kaso. Kjo ishte edhe goditja më e rëndë për çetën, e cila pësoi goditje. Disa u dorëzuan, të tjerë u arrestuan e të tjerë akoma u arratisën. Shaqo Limja dhe Sefer Yzeri, qëndruan më gjatë. Bajram Ahmetaj u arrestua në janar 1949.
Në vendimin e gjyqit, data e arrestimit të tij është lënë fillimisht bosh, por pastaj plotësohet data 4.1.1949. Sefer Yzeiri, shprehej: “Kisha pakënaqësi ndaj pushtetit dhe kam biseduar me Safet Kamberin dhe Xhemal Brahimin, të cilët më folën kundër pushtetit, se ky pushtet na mori tokën, na mori pasurinë dhe na la në të keq. Kemi bërë tre mbledhje, ku foli Xhemal Brahimi. Njerëzit erdhën vullnetarisht…në Gllavë na rrethuan ushtria. Unë kam dalë nga rrethimi.
Regjimi kishte interes të bënte një gjykim të shpejtë e shembullor. Fillimisht u zhvillua gjyqi në Gjykatën Ushtarake të Gjirokastrës. Një trupë gjykuese e përbërë prej Llazi Polenës, Arqile Toskës dhe Hamit Bilbilit, duke pasur pranë prokurorin Mustafa Beqo, ka dhënë vendimin nr.24, datë 14.5.1949.
Në bazë të pretencë së prokurorit, ata akuzoheshin se në shtator – tetor 1948: “Kanë formuar bandë të armatosur, për të rrëzuar pushtetin popullor, kanë marrë pjesë në luftime kundër forcave të qeveritare, kanë vrarë dy policë dhe shefin e seksionit të Sigurimit, Xhezo Makashi dhe se kishin lidhur e dashur të vrisnin dy fshatarë”.
Mbi bazën e një gjykimi të shpejtë, gjykata vendoste dënimet:
1 – Bajram Ahmetaj, vjeç 59, arrestuar më 4.1.1949, me vdekje.
2 – Sefer Yzeri, vjeç 39, arrestuar më 10.10.1949, me vdekje.
3 – Shaqo Muçoderraj, vjeç 29, arrestuar më 16.10.1948, me 20 vjet burg.
4 – Xhemal Asllani, vjeç 21, arrestuar më 5.10.1948, me 15 vjet burg.
5 – Xhemal Begaj, vjeç 35, arrestuar më 10.10.1948, me 12 vjet burg.
6 – Mete Didi, vjeç 36, arrestuar më 19.10.1948, me 15 vjet burg.
7 – Balil Veliu, vjeç 39, arrestuar më 10.10.1948, me 15 vjet burg.
8 – Xhelal Begaj, vjeç 35, arrestuar më 10.10.1948, me 12 vjet burg.
9 – Gani Kodheli, vjeç 36, arrestuar më 16.10.1948, me 12 vjet burg.
10 – Mehmet Muçoderraj, vjeç 21, arrestuar më 5.10.1948, me 12 vjet burg.
11 – Hajri Mahmutaj, vjeç 39, arrestuar më 10.10.1948, me 12 vjet burg.
12 – Selfo Xhemali, vjeç 49, arrestuar më 16.10.1948, me 4 vjet burg.
13 – Beg Veizi, vjeç 49, arrestuar më 5.10.1948, me 4 vjet burg.
14 – Nuredin Rrodhaj, vjeç 29, arrestuar më 5.10.1948, me 4 vjet burg.
15 – Hajredin Alushi, vjeç 33, arrestuar më 16.10.1948, me 4 vjet burg.
16 – Mehmet Kalemaj, vjeç 49, arrestuar më 16.10.1948, me 4 vjet burg.
17 – Teme Pajo, vjeç 49, arrestuar më 5.10.1948, me 3 vjet burg.
18 – Shefqet Didi, vjeç 19, arrestuar më 16.10.1948, me 3 vjet burg.
19 – Seit Çaushaj, vjeç 34, arrestuar më 10.10.1948, me 3 vjet burg.
20 – Jashar Canaj, vjeç 44, arrestuar më 10.10.1948, me 3 vjet burg.
21 – Maliq Didi, vjeç 57, arrestuar më 5.10.1948, me 2 vjet burg.
22 – Demo Aliu, vjeç 45, arrestuar më 5.10.1948, me 2 vjet burg.
23 – Riza Çaushi, vjeç 49, arrestuar më 10.10.1948, me 2 vjet burg.
24 – Mufit Islami, vjeç 29, arrestuar më 5.10.1948, me 2 vjet burg.
25 – Adem Memaj, vjeç 21, arrestuar më 10.10.1948, me 12 vjet burg.
Për të gjithë të pandehurit, urdhërohej vuajtja e dënimit me punë të detyruar, konfiskimin e pasurisë si dhe u hiqej përkohësisht e drejta e zgjedhjes. Dënimet sipas prokurorit, mbështeteshin sipas në ligjin famëkeq nr.372, datë 12.12.1946; “Mbi fajet penale kontra popullit dhe shtetit”. Ky vendim përgjithësisht (për dënimet me heqje lirie), u la në fuqi nga Gjykata e Lartë Ushtarake, e përbërë prej Bilbil Klosit, Sotir Spiros dhe Nonda Papulit, duke pasur pranë prokurorin ushtarak, Bexhet Mema, me vendimin nr.77, datë 6.7.1949.
Por menjëherë pas vendimit, kryetari Bilbil Klosi, i shkruan më 8.7.1949 Presidiumit të Kuvendit Popullor, për çështjen e faljes ose jo të 7 të dënuarve me vdekje. Në këtë letër, Klosi shprehej se; të dënuarit të dytë të procesit të Zhapokikës, mund t’i falej jeta. Kështu duhet të ketë ndodhur, pasi nuk rezulton që i dënuari i dytë, të jetë pushkatuar.
Më 21.7.1949, është kryer ekzekutimi i dënimit me vdekje të të dënuarit Bajram Kamber Ahmetaj. Ai thotë: “Për toger Xhezo Makashin, dëgjova rojet e burgut të thoshin, e vrau kush e vrau, u mbeti këtyre”. Bajrami kërkonte që pushteti të mos hakmerrej mbi fëmijët e tyre, që kufomën e tij, mund t’ia çonin familjes, etj. Në fund ai e mbyll jetën, me fjalët’ “Rroftë Shqipëria”.
Drejtuesi kryesor i Lëvizjes së Zhapokikës, Xhemal Brahimi, mundi të arratisej nga Shqipëria, fillimisht në Greqi e më pas në SHBA-ës. Ai vinte shumë herë pranë kufijve të Shqipërisë, pa mundur të realizojë ëndrrën, rrëzimin e regjimit komunist! Ndërsa shefi i Sigurimit të Tepelenës, Xhezo Makashi (1920-1948) me vendimin nr.65, datë 2.10.1971, u shpall “Dëshmor i Atdheut”./ Memorie.al