Berisha: Autostrada e parë që do inaugurohet nga qeveria e ardhshme do jetë autostrada Shkodër-Milot-Tiranë

Duke prezantuar projektet që do të ndërtohen në infrastrukturë dhe transport, kreu i PD-së Sali Berisha duke folur në prezantimin e programit ‘Shqipëria Madhështore’ në Shkodër, u shpreh se ‘autostrada e parë që do inaugurohet nga qeveria e ardhshme do jetë autostrada Shkodër-Milot-Tiranë’.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Shqipëria Madhështore nuk bëhet pa ardhur edhe Zoti në shtëpinë tonë.
Dhe Zoti vjen vetëm kur të pastrojmë shtëpinë ne.
Ndaj dhe pastrimi i shtëpisë sonë, pastrimi i Shkodrës, pastrimi i Shqipërisë është zotimi ynë solemn për Shqipërinë Madhështore.
Shqipëria do jetë vendi i qytetarëve të lirë, burrave dhe grave që jetojnë me dinjitet, djersën dhe mundin e tyre dhe që nuk mundet kush t’i trysnojë, nuk mundet kush t’i plaçkisë.
Ndaj dhe jam këtu para jush për t’u zotuar: zero tolerancë ndaj krimit, kriminelëve, bashkëpunëtorëve.
Ua them këtu, po jo vetëm atyre që fshihen në bodrume, por edhe atyre që i mbrojnë dhe bashkëpunojnë me ta.
Më thoni pak, kush del burrë më i mirë, Behar Bajri që rri nëpër bodrume apo Benet Beci që del i kollarisur që ka mandatin që e ka marrë prej tij?
Jo, jo, do pastrohet. Do priten me gërshërët e ligjit lidhjet me krimin.
Politikë dhe krim nuk do ketë më në Shqipëri.
Ndaj dhe ky është zotimi ynë për Shqipërinë e ligjit.
Dhe u them këtu, dridhuni aty ku jeni se dita e ligjit po vjen dhe ligji do bjerë mbi ju, cilido qofshi.
Shqipëria Madhështore është Shqipëria e hightech-ut, e inteligjencës artificiale, e dataqendrave, e kriptomonedhave. Faktikisht është Shqipëria e një gjenerate që ëndërron vendin e tyre të tillë.
Por një gjë u them, në rast se në vitin 2005 kur erdhëm në pushtet dhe deklaruam se Shqipërinë do e sjellim në moshën dixhitale, qeshën me të madhe, opozita, por edhe mediat.
Mirëpo ne në atë kohë Shqipëria kishte një internet 4.9 përqind penetrimin dhe shumica e analizave ndërkombëtare nuk e llogarisnin fare, ne arritëm në 63 përqind.
Ju jap fjalën se Shqipëria do jetë një epiqendër e rëndësishme e teknologjisë së lartë.
Kanë filluar kontaktet me kompani të mëdha, të cilat do vijnë në Shqipëri dhe me të rinjtë shqiptarë do e bëjnë Shiqpërinë epiqendër të teknologjisë së lartë në rajon dhe botë.
Miq, Shqipëria do bëhet superfuqi energjetike në rajon.
Në rast se në vitin 2007, e shpallëm superfuqi e vogël energjetike, tani themi jo, superfuqi energjetike në rajon.
Shqipëria do shumëfishojë prodhimin e energjisë nga dielli, era, uji dhe gazi.
Nga Vermoshi në Konispol, çdo qytetar që dëshiron, do t’i vendosen panelet fotovoltaike dhe për tre vite do paguajë qiranë, pas tre vitesh do i gëzojë për gjithë jetën.
Miqtë e mi, këto janë vetëm disa nga projektet reale.
Por jam këtu për t’u zotuar para jush se autostrada e parë që do inaugurohet nga qeveria e ardhshme do jetë autostrada Shkodër-Milot-Tiranë.
Dy do jenë veprat e para të mëdha publike, autostrada Shkodër-Milot-Tiranë dhe bajpasi i Elbasanit.
Shiko se çfarë bëjnë?
Shkojnë dhe ndërtojnë tunelin e Llogarasë në të cilin 9 muaj rresht kalojnë vetëm lepuj dhe zogj, 200 milionë euro. Nuk ndërtojnë autostradën Shkodër-Milot që ka trafikun më të madh pas Rrugës së Kombit.
Shkojnë dhe ndërtojnë autostradën Elbasan-Librazhd dhe nuk ndërtojnë bajpasin që bllokun trafikun. Marrin fund këto.
Shkodra do ketë investimet që meriton.
Do ketë investimet që meriton në rrugën Shkodër-Muriqan. Atë urë që premtoi Nastradini, Velipojë-Pulaj, PD e bën realitet.
Investime të mëdha do bëhen në sistemime, kanalizime, ujësjellësa në të gjithë qarkun e Shkodrës./SYRI.net