Rajoni

Qeveria e RMV mbledhje urgjente pas tragjedisë me 59 viktima, zbardhen vendimet

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të shpallë një periudhë zie shtatëditore në mbarë vendin, pas tragjedisë së ndodhur në qytetin e Koçanit, ku një zjarr në klubin e natës “Pulse” shkaktoi vdekjen e 59 personave dhe plagosjen e mbi 150 të tjerëve.

Në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme, e cila filloi me një minutë heshtje për viktimat, qeveria njoftoi se të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje tragjike, të cilët kanë kontribuar në rrezikimin e jetëve njerëzore, do të mbajnë përgjegjësi ligjore. Janë lëshuar urdhër-arreste për katër persona, dhe një individ është arrestuar tashmë.

Gjithashtu, është urdhëruar që Inspektorati Shtetëror i Tregut të kryejë, brenda tre ditëve të ardhshme, kontrolle të jashtëzakonshme në të gjitha objektet e shërbimeve të natës (kabare, klube nate, disko dhe disko në ambiente të hapura) në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, për të verifikuar nëse ato funksionojnë sipas standardeve dhe në përputhje me ligjet dhe rregulloret e shtetit.

Për më tepër, qeveria ka aktivizuar mekanizmin për kërkimin e ndihmës ndërkombëtare, ndërsa vendet fqinje, përfshirë Shqipërinë, Bullgarinë, Greqinë, Serbinë dhe Ukrainën, kanë ofruar ndihmë.

Kryeministri Hristijan Mickoski dhe Presidentja Gordana Siljanovska Davkova kanë shprehur ngushëllimet e tyre dhe angazhimin për të mbështetur familjet e prekura.

Qeveria u bën thirrje të gjitha institucioneve dhe qytetarëve që të respektojnë periudhën e zisë dhe të shmangin politizimin e kësaj tragjedie, në mënyrë që organet kompetente të mund të hetojnë plotësisht dhe në kohë ngjarjen.

Në këto momente jashtëzakonisht të vështira dhe të trishtueshme për të gjithë popullin e Maqedonisë së Veriut, shprehim ngushëllimet tona të thella për familjet e viktimave dhe solidarizohemi me të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button