Zbulohet pakti PD-PL për listat e hapura, emrat që do të kandidojë Ilir Meta në 11 qarqet e vendit

Partia e Lirisë përveç katër emrave që ka marrë në listën e sigurt të kandidatëve për deputetë, do të ketë përfaqësuesit e saj edhe në listën e hapur.
Top Channel ka mësuar se kjo force politike deri në këto momente ka arritur ti marrë Partisë Demokratike nga një kandidat në 11 qarqe të vendit, me përjashtim të Kukësit.
Lëvizja surprizë e Metës për të shkuar nga lista e mbyllur e Fierit në listën e hapur të Tiranës ka zënë të papërgatitur demokratët, të cilët shohin që nga kryeqyteti të kenë edhe një deputet më pak për shkak të shanseve të mëdha që ka kreu i PL-së të dale deputet.
Mësohet se direktiva për të gjitha strukturat e PL-së ka qenë e qartë, për të kërkuar çdo votë për Ilir Metën, që do ta bëjë këtë forcë politike me tre deputetë në Tiranë.
Emrave të konfirmuar të Tedi Blushit dhe Erisa Xhixhos në Tiranë dhe Edmond Haxhinastos në Elbasan i shtohet edhe sekretarja e përgjithshme e PL-së, Brunilda Haxhiu e cila do të jetë në listën e mbyllur të Fierit.
Ndërkohë nëpër qarqet e tjera, ndër emrat që po përfliten janë ata të Lefter Maliqit në listën e hapur të Beratit, Viktor Tushaj në Lezhë, Gentian Çala në Korçë dhe Dashamir Xhika në Elbasan./Tch