“OLD TRAFORD” DREJT FUNDIT! Manchester United do ndërtojë stadiumin me 100 mijë vende

Epoka e “Old Traford” po vjen drejt fundit. Manchester United do të ndërtojë stadiumin më të madh në Britani, me 100,000 vende për të cilin do të investohen 2 miliardë paund. Stadiumi i ri pritet të përfundojë brenda 5 viteve dhe do të shoqërohet me një projekt gjigant rindërtimi të zonës.
Manchester United do të ndërtojë stadiumin më të madh në Britaninë e Madhe, një arenë ikonike prej 100,000 vendesh me kosto 2 miliardë paund.
Bashkë-pronari i klubit, Sir Jim Ratcliffe, deklaroi se synimi është që të përfundojë brenda pesë viteve të ardhshme.
“Old Trafford”, shtëpia historike e ekipit që prej vitit 1910, nuk ka pasur përmirësime të mëdha që nga viti 2006, ndërsa ankesat për gjendjen e tij, përfshirë rrjedhjet e ujit nga çatia e tribunës, janë shtuar në vitet e fundit.

Arkitektët e njohur Foster and Partners, që kanë projektuar gjithashtu stadiumin “Ëembley” dhe “Lusail Stadium” ku u zhvillua finalja e Botërorit 2022 në Katar, do të merren me dizajnin e këtij projekti që do të ketë një dizajn në formë ombrelle dhe do të shoqërohet nga një shesh publik dy herë më i madh se Sheshi Trafalgar në Londër. Simbolika më e veçantë do të jenë tre shtylla gjigante, të quajtura “tridenti”, të larta 200 metra dhe të dukshme deri në 40 kilometra larg.
Pjesët e stadiumit do të ndërtohen përmes parafabrikimit, duke u transportuar me 160 komponentë përgjatë Kanalit të Anijeve të Manchesterit.
Edhe pse klubi mban një borxh prej 1 miliard paundësh, ende nuk është sqaruar se si do të financohet ky projekt gjigant. Përmes tij pritet të krijohen 92,000 vende të reja pune, do të përfshijë ndërtimin e 17,000 shtëpive të reja dhe do të tërheqë 1.8 milionë vizitorë në vit, me një ndikim ekonomik prej 7.3 miliardë paund në vit për ekonominë britanike.

Qeveria britanike, përmes Kancelares Rachel Reeves, ka dhënë mbështetjen zyrtare për investimin.
Megjithatë Ende nuk dihet fati i “Old Trafford”, ndërsa është hedhur poshtë ideja që ai të përdoret nga ekipet e femrave dhe të rinjve, për shkak të kostos së lartë të transformimit.