Lajme

Rama: Shqipëria nuk ka plan “B” përveç integrimit në BE! Iluzion të besosh se nuk prekesh nga politika, anëtarësimi i bën gjërat të pakthyeshme.

Roli i rinisë në të ardhmen e kontinentit europian mblodhi sot për herë të parë në Tiranë, fituesit e çmimit të madh Ndërkombëtar “Karlspreis – Karli i Madh”, një nga nderimet më të larta europiane për personalitete me kontribut në bashkimin dhe përparimin e Europës.

Duke folur në panelin e kësaj konference, Kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria nuk ka plan “B” përkundrejt lirive individuale që garantohen vetëm në Bashkimin Europian.

“Nëse doni të negocioni lirinë tuaj atëherë hiqni dorë mos u bëni pjesë e BE-së, por në rast se nuk doni të negocioni duhet të jeni pjesë e BE-së”, tha Rama.

Po ashtu kryeministri theksoi se nuk ka plan “B” përballë shtetit të së drejtës dhe të qenit të barabartë para ligjit.

“Mund t’ju ofrojnë vodka dhe havjar, por hiqeni nga mendja shtetin e së drejtës dhe barazinë para ligjit që garantohet vetëm nëse je pjesë e të gjitha të drejtave që vijnë nga BE. Liria mund të garantohet duke qenë pjesë e BE-së”, tha Rama.

Kryeministri solli në vëmendje shembullin e Afganistanit apo Irakut, ku njerëzit kanë pasur mundësinë për ta shndërruar vendin e tyre në demokraci funksionale dhe nuk funksionoi.

Nuk do të funksionojë kurrë nëse nuk ke BE-në si pikën tënde të horizontit, se nuk ka të bëjë vetëm me atë që është sot, por edhe me mënyrën se si mund të arrish dhe sa mbështetje ke në mënyrën se si mësohesh për ta bërë këtë gjë”, tha Rama.

Kryeministri Rama ishte në panel së bashku me Martin Schulz, ish-president i Parlamentit Europian dhe laureat i çmimit “Karlspreis”, Veronika Tsepkalo, pjesë e opozitës bjelloruse, laureate e çmimit “Karlspreis” dhe dr. Jürgen Linden, kryetar i bordit drejtues i “International Charlemagne Prize”.

Po ashtu i pranishëm në këtë konferencë ishte edhe René van der Linden, President Nderi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se deri sa Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Europian ka gjëra që nuk do të jenë të sigurta, të garantuara dhe të pakthyeshme.

Për herë të parë, fituesit e çmimit të madh Ndërkombëtar “Karlspreis – Karli i Madh”, një nga nderimet më të larta europiane për personalitete me kontribut në bashkimin dhe përparimin e Europës, u mblodhën sot në Tiranë, për dialogun mbi rolin e rinisë në të ardhmen e kontinentit.

Duke folur në panelin e kësaj konference, Kryeministri Rama u ndal te rëndësia e angazhimit në politikë si qytetarë, ndërsa u rikujtoi të rinjve faktin se sa më shumë të rrish larg politikës, aq më të larta janë shanset që të prekesh negativisht prej saj.

“Nuk dua të marr shumë prej kohës tuaj duke u kthyer 35 vjet më parë kur isha po aq i ri sa të pranishmit në auditor dhe u përfshiva në lëvizjen për të ndryshuar dhe kërkuar një tjetër mënyrë jete, lirinë. Ajo që dua të them është se nuk jam i lumtur kur shoh të rinj që nuk e kuptojnë sa e rëndësishme është politika dhe besojnë se duke e konsideruar politikën si diçka të pistë, larg tyre, që nuk duan të kenë aspak të bëjnë, mendojnë se i ikin, por nuk ikin dot”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se politika të ndjek pas gjatë gjithë kohës dhe është iluzion të besosh se nëse rri larg nuk do të prekesh.

“Përkundrazi, sa më shumë të rrinë jashtë saj aq më shumë janë shanset për t’u prekur negativisht prej saj. Sepse ajo ka të bëjë me angazhimin si qytetar. Të angazhohesh si dikush që kujdeset për të drejtat e tij”, tha Rama.

Ndaj, kryeministri theksoi se pikërisht për këtë arsye është kaq i fiksuar për ta anëtarësuar Shqipërinë në BE.

Rama falënderoi pjesëmarrësit në këtë konferencë, veçanërisht Jürgen Linden, kryetar i bordit drejtues i “International Charlemagne Prize”, i cili pranoi edhe organizimin e kësaj nisme të përbashkët.

Në këtë drejtim, kryeministri propozoi krijimin e një Çmimi të dytë për të Rinjtë Europianë.

“Vitin tjetër mund të organizojmë që të jepet Çmimi për Europianët e Rinj. I kemi të gjitha mjetet për të organizuar një komitet që të bëjë zgjedhjen e duhur”, shtoi Rama.

Po ashtu, Rama falënderoi edhe Martin Schulz, ish-president i Parlamentit Europian dhe laureat i çmimit “Karlspreis”, i cili drejton fondacionin “Friedrich-Ebert”.

“Jam shumë i lumtur që patëm mundësi të riangazhoheshim në këtë aktivitet që e kemi nisur shumë kohë më parë”, tha ai.

Po ashtu i pranishëm në këtë konferencë ishte edhe René van der Linden, President Nderi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, të cilin kryeministri e konsideroi mik të popullit shqiptar. “Një politikan holandez i cili arrin të lundrojë mjaft mirë mes të qenit holandez dhe europian”, shtoi ai.

Po ashtu, Rama veçoi pjesëmarrjen në këtë konferencë të Veronika Tsepkalo, pjesë e opozitës bjelloruse, laureate e çmimit “Karlspreis”.

“Nuk do ta falënderoj zonjën që gjendet këtu, sepse ajo dhe bashkëshorti i saj janë tashmë pjesë e komunitetit tonë qytetar të këtij vendi. Ne jemi shumë krenarë dhe të privilegjuar që kemi këta dy njerëz të guximshëm mes nesh”, tha ai./OraNews

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button