Kur shuhej dalëngadalë melodia e dashurisë qelive të burgut të Burrelit

“Gac, o shok i vuejtjes, nxânsi im i lashtë; mâ s’ta gjegja zanin, mâ nuk t’ndesha jashtë! N’imshtën e Burrelit vorrin ku ta banë; Kur ushton gjethnaja, Gac ti ndoshta fshân?;Fshâj nji kangë lirije qi t’u mbyll n’krahanuer!”
Disa tinguj të lehtë, me një melodi melankolike, nisin të thyejnë ngadalë heshtjen nëpër qelitë e burgut të Burrelit, një natë pranvere të vitit 1956. Ishte zëri i Gac Çunit, djali shkodran që po jetonte ditët e fundit të jetës së tij, në qelinë e burgut të Burrelit. Kënga nisi të ngjallë shpirtrat e burgosur të atyre njerëzve, që po vuanin pa faj nëpër qelitë e atij burgu. Ishte kënga e fundit, melodia e fundit e djalit 20-vjeçar. I kushtohej dashurisë së tij të humbur, vajzës shkodrane me kaçurrela, që kishte mbetur imazh i largët për zemrën e djalit të burgosur. Kaçurrelat e vajzës së bukur që kishte qenë dashuria e tij platonike, që do të mbetej në mendjen dhe zemrën e tij, si një hije që endej nëpër rrugicat e bukura të qytetit, atje ku Gaci kishte jetuar ato pak vite rinie, i lirë.

Unë pa ty jam i vetëm….
Unë pa ty jam i tretun….
Gjithmonë kam me të kujtu…
S’kam me te harru moj kaçurrele
Kaçurrelat e tu…
Përmes vuajtjeve që i sillte tuberkulozi, kur villte gjak e rënkonte papushim nga dhimbja, ai kompozoi aty nëpër qeli, këngën për dashurinë e humbur, “Kaçurrelat e tu”. E këndoi menjehërë, duke e ndarë me bashkëvuajtësit e tij brengën për dashurinë e tij të humbur.
Ishte mësues dhe kompozitor i talentuar i brezit të tij. Gac Çuni lindi në vitin 1926, në Shkodër. Kreu Seminarin Jezuit dhe Liceun e Shtetit në Shkodër. Pas diplomimit, punoi si mësues në Bajzë të Kastratit, ku dhe u arrestua me akuzën se kishte takuar të vëllanë e arratisur dhe se kishte komunikuar dhe ndihmuar dajën e tij, që ishte asokohe i arratisur si antikomunist, në malet e Dukagjinit.
Akuzohej gjithashtu, se kishte pasur lidhje me një klerik patriot, si Pader Çiril Cani, kur ai ishte me shërbim në Koplik, atje ku Gaci kishte qenë mësues. Në akuzën e sigurimit të shtetit, thuhej se Gac Çuni nuk e kishte dashur komunizmin. …Se i kishte shkruar një letër dajës së tij në malet e Dukagjinit dhe e kishte ndihmuar atë, me ushqim e rroba për të mbijetuar nëpër ato male.
Arshi Pipa kishte qenë mësues i tij, por edhe bashkëvuajtës, nëpër kampet e burgjet komuniste. Gac Çuni dha shpirt në burgun e Burrelit, përmes dhimbjes së papërshkrueshme nga sëmundja e rëndë e tuberkulozit, për të cilën autoritetet e burgut, ndaluan ndihmën mjekësore. Dha shpirt, ashtu i drobitur nga sëmundja e rëndë, larg familjes e shoqërisë, larg “kaçurrelave të saj”.
Kur Gac Çuni dha shpirt, miku e mësuesi i tij Arshi Pipa i kushtoi disa vargje ndër të cilat edhe këto: “Gac, o shok i vuejtjes, nxânsi im i lashtë; mâ s’ta gjegja zanin, mâ nuk t’ndesha jashtë! N’imshtën e Burrelit vorrin ku ta banë; Kur ushton gjethnaja, Gac ti ndoshta fshân?;Fshâj nji kangë lirije qi t’u mbyll n’krahanuer!”/kujto.al