Bota

Për herë të dytë, një anije kozmike private prek Hënën, moment historik 

Anija kozmike Blue Ghost e Firefly Aerospace ka zbarkuar me sukses në Hënë, në një moment kyç për udhëtimin privat në hapësirë.

Me madhësinë e një veture kompakte, anija mban 10 ngarkesa shkencore dhe është ulur në Mare Crisium, në cepin verilindor të anës së Hënës përballë Tokës.

Bëhet e ditur se kjo ulje e bën Firefly kompaninë e parë private që vendosi një anije kozmike në Hënë pa u përplasur apo rrëzuar.

Anija u nis në mesin e janarit.

Dr. Joel Kearns, zëvendësadministrator i asociuar në NASA, tha se kjo zonë ishte me “interes të madh shkencor”, por gjithashtu “një vend shumë i arritshëm për ulje”.

Ky moment, tha ai, ishte “një për librat e historisë”, shkruan skynews.

Raportohet se tani Firefly është bërë kompania e dytë private që shënon një ulje të butë në Hënë, pasi zbarkuesi Odysseus i Intuitive Machines me bazë në Houston bëri një ulje të tillë vitin e kaluar.

Një ulje “e butë” në Hënë i referohet një uljeje të kontrolluar, me një shpejtësi të ulët dhe dëme minimale në automjet.

Ndryshe, vetëm pesë vende kanë qenë të suksesshme në uljet e buta në të kaluarën: Bashkimi Sovjetik i atëhershëm, SHBA, Kina, India dhe Japonia.

Dr. Nicola Fox, nga Drejtoria e Misionit të Shkencës të NASA-s, tha: “Ne i zgjedhim vendet tona të uljes me shumë kujdes”.

“Ne duam të studiojmë veçoritë gjeologjike në Hënë. Ne duam të studiojmë ndërveprimin me erën diellore”, shtoi ajo.

Ajo tha se pjesë e këtij misioni do të jetë të ndihmojë në “përgatitjen për astronautët e ardhshëm” që do të shkojnë në Hënë.

Të mbështetur nga NASA dhe programi i saj kryesor i hënës Artemis, raportohet se kompanitë private kanë luajtur një rol të rëndësishëm në këtë garë moderne.

Prekja e Hënës nga Firefly është një nga tre misionet hënore në vazhdimësi.

Agjencia hapësinore pagoi 101 milion dollarë për misionin, plus 44 milion dollarë për shkencën dhe teknologjinë në bord.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button