“Vrasja e Artan Santos me interesa të forta politike”, Lala: Regjistrimi ku Stafuka flet për autorët e krimit

Gazetarja Klodiana Lala thotë se e shikon vrasjen e një nga bankierëve më të njohur në vend, Artan Santos, me interesa shumë të forta politike. E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Lala shprehet se mendohej se pas vrasjes së Santos në Qershor të 2014-ës qëndronte Enver Stafuka.
Gazetarja shton se para se Stafuka të zhdukej pa gjurmë është intervistuar nga persona të botës së krimit dhe për këtë ekziston një regjistrim ku ai ka folur për autorët, ekzekutuesit dhe financuesit e vrasjes së Artan Santos.
Klodiana Lala: Ekziston diku një kasetë, një regjistrim që unë nuk e di se kur do të dalë. Përpara se Enver Stafuka të zhdukej pa gjurmë është intervistuar për orë të tëra nga persona të botës së krimit. Enver Stafuka kishte hyrë shumë thellë në krim të organizuar, kishte kryer shumë vrasje dhe mendohej që njëra nga vrasjet që kishte marrë pjesë ishte edhe vrasja e bankierit Artan Santo.
Blendi Fevziu: Por që nuk u vërtetua asnjëherë.
Klodiana Lala: Patjetër. Historinë e Artan Santos e shikoj me interesa shumë të forta politike brenda vendit. Enver Stafuka në atë regjistrim ka folur edhe për autorët, ekzekutuesit, financuesit e vrasjes së Artan Santos. Nuk mund të them me siguri se kur ai regjistrim mund të dalë. Ekziston se e kanë pranuar dëshmitarë okularë të asaj historie. Mendoj se ekziston diku për shumë arsye. Historia e Artan Sanos ishte një ngjarje për të vrarë një njeri me shumë influencë, një njeri që kishte ndikim të jashtëzakonshëm. U zgjodh zemra e Tiranës, ish-Blloku për të përçuar mesazhet të forta. Policia e Shtetit e ka të qartë se kush është ekzekutori material, por problemi në rastin e Artan Santos është kush është urdhëruesi.
/tvklan.al