Presidenti i Emirateve të Bashkuara sot në Tiranë, Rama: Gur kilometrik në rrugën e një miqësie dhe partneriteti

Ditën e sotme, sheiku Mohammed bin Zayed Al Nahyan vjen në Tiranë, në vizitën e tij të parë zyrtare si Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe.
Kryeministri Edi Rama, duke njoftuar vizitën e presidentit të Emirateve Arabe ditën e djeshme theksoi se vizita e tij në Shqipëri shënon një gur të rëndësishëm kilometrik dhe të një partneriteti të forcuar kohët e fundit.
Presidenti Bin Zayed ishte donatori më i madh për rindërtimin pas tërmetit në Durrës dhe lagja e re e rindërtimit në Spitallë është financuar e gjitha prej tij.
Sipas Ramës, ai nxiti po ashtu marrëveshjen për portin turistik të Durrësit si dhe ishte kyç në marrëveshjen trepalëshe me Italinë për investimin strategjik për lidhjen nënujore energjetike.
Një tjetër vlerë e shtuar e bashkëpunimit strategjik, sipas Ramës, është programi i monitorimit të rrugëve dhe shkollave me teknologjinë më të lartë si dhe krijimi i kompanisë së përbashkët të letrave me vlerë./tvklan.al