“Po projektojnë lider të ri”, Baton Haxhiu tregon ç’po ndodh në PS: Mëkati i Ramës është…
A ka një luftë të brendshme brenda Partisë Socialiste? Kjo është pyetja që ngrihet pas akuzave të bëra nga arratia nga ish-zv/Kryeministri Arben Ahmetaj, i cili sulmoi ish-kolegë të tij socialistë, përfshirë Kryeministrin Edi Rama dhe zv/Kryeministren Belinda Balluku.
Analisti Baton Haxhiu, i ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, thotë se brenda Partisë Socialiste ka pasur diskutime për të projektuar një lider të ri të partisë.
Mirëpo, sipas Baton Haxhiut, Kryeministri Rama ka një mëkat.
Blendi Fevziu: Çfarë po ndodh brenda PS-së?
Baton Haxhiu: Historia e protagonizmit brenda PS nuk është e nivelit të nënshtrimit që thotë Dashi. Megjithatë, ka pasur projeksione dhe ka projeksione për një lidership të ri për arsye se ata nuk e konkurrojnë Ramën se janë të paaftë për të bërë atë punë, me diskurs, me veprime, me orë pune, me kreativitet. Një gjeneratë e re e cila nuk ka pasur figura politike të rëndësishme përveç Gramoz Ruçit, të tjerët janë kot, kjo gjeneratë janë më të aftë se ajo që ka qenë më herët, por nuk janë figura politike. Rama ka projektuar një qeverisje me njerëz të shkolluar dhe me gra. Ajo që në këtë 12-vjeçar të qeverisjes nuk arriti Rama, është se nuk i largoi as gratë as njerëz të shkolluar nga aftësia për t’u korruptuar. Kjo është mëkati. Cili është mëkati tjetër? Duke qenë figurë e fortë Rama, ata e projektonin veten se kush është njeriu i dytë i cili do ta zëvendësojë atë. Prandaj ka qenë kjo betejë dikur edhe me Saimir Tahirin, i cili ka qenë një eksponent politik i artikuluar bukur dhe luftarak. Pastaj një eksponent tjetër që ka qenë, se tani nuk është më, Erion Veliaj. Pastaj dhe eksponentë të tjerë të cilët kanë dëshirë për faktin se Ramës po i vjen fundi i qeverisjes. Dhe pse Balluku erdhi tani? Dhe pse është figurë e tillë? Për arsye se gjithë këta të tjerët kanë dalë jashtë asaj kornizës të PS dhe kanë funksionuar si liderë brenda feudit të tyre.
Blendi Fevziu: Ti mendon që ata e mendojnë që Rama mund të iki?
Baton Haxhiu: Natyrisht që e mendojnë.
Blendi Fevziu: Unë mendoj që ata kanë frikë dhe ta mendojnë këtë.
Baton Haxhiu: Është legjitime ta bëjnë atë./tvklan.al