4 arsye pse gratë kanë flokë jo të shëndetshëm në para dhe menopauzë
Procesi natyral i plakjes
Ndërsa plakemi, prodhimi i qelizave ngadalësohet. Ato riprodhohen ndryshe nga më parë. Në një studim shkencor
kam lexuar një analogji të shkëlqyer që e shpjegon këtë: “Ngjet pak me fotokopjet që bën”. Herën e parë që fotokopjoni një imazh, ai është i qartë, por kur e fotokopjoni vazhdimisht, nuk është më njësoj. Kështu plaken edhe qelizat tona. Përveç kësaj, cilësia dhe sasia e flokëve që keni përkeqësohet, pasi gjëndra që vendos çdo qime në lëkurë fillon të plaket. Ajo nuk prodhon më ngjyrë, ndaj keni më shumë thinja dhe flokët bëhen më të hollë.
Hormonet
Hormonet luajnë rol të rëndësishëm në shëndetin e flokëve gjithë jetën tonë. Për ta shpjeguar më thjesht, flokët kanë një fazë rritjeje dhe një fazë rënieje. Floku është në fazën e rritjes në 90 % të kohës. Pjesën tjetër është në fazën e rënies. Në këtë periudhë, sa herë që kaloni gishtat nëpër flokë, ju mbeten qime në dorë. Ose mund të vëreni qime që mblidhen në fund të dushit. Po ulja e estrogjenit gjatë paramenopauzës dhe menopauzës mund ta çekuilibrojë këtë. Ulja e estrogjenit ngadalëson fazën e rritjes nga 90 % në 60 % dhe shton fazën e rënies. Pra, tani ka më shumë rënie dhe më pak rritje të flokëve. Me uljen e estrogjenit, androgjenet që zakonisht janë të shtypura, bëhen më të spikatura. Një nga gjërat e para që bëjnë androgjenet është tkurrja e folikulave të flokëve. Flokët tuaj do të rriten, por do të jenë shumë më të hollë.
Gjenet
Rënia e flokëve te femrat, zakonisht te kurora, është sëmundje e trashëguar, ku faza e rritjes së flokëve është më e shkurtër. Mund të ndodhë në çdo moshë, por është më e zakonshme pas menopauzës, kur hormonet ndryshojnë dhe ndikojnë në gjatësinë e fazës së rritjes së flokëve.
Dieta
Ngadalësimi i fazës së rritjes lidhet kryesisht me hormonet, por lidhet edhe me shëndetin dhe dietën. Flokët tuaj janë në vendin e fundit në listën e përparësive kur bëhet fjalë për marrjen e vitaminave dhe të lëndëve ushqyese me dietën juaj. Muskujt, kockat, dhëmbët, sytë dhe lëkura pësojnë goditjet e para. Pra, nëse nuk keni dietë të ekuilibruar, flokët nuk do të marrin vitaminat e nevojshme.