Shëndet

Gripi rrezikon zemrën, shtohen rastet e të rinjve me miokardit. Mjekja: Dy simptoma nuk duhen neglizhuar kurrë

Prekja nga viruset që po qarkullojnë në vend ka rritur ndjeshëm numrin e pacientëve që bëjnë insuficencë kardiake.

Mjekja kardiologe Daniela Teferiçi thotë se rastet i përkasin jo vetëm pacientëve kronikë të zemrës, por ka edhe mjaft të rinj që paraqiten me diagnozën e miokarditit.

Ka pasur një shtim të jashtëzakonshëm të numrit të pacientëve me insuficiencë respiratore ose marrje fryme. Në spital përcaktojmë shkakun nëse është kardiak apo pulmonar. 

Pulmoni ka pjesën e vet, por ajo që vëmë re këtë kohë është ana kardiake. Shumica janë pacientë të njohur si pacientë kardiakë, por kjo mbivendosje e infeksionit viral e përkeqëson shumë situatën, duke dhënë insuficiencë multiorganore. 

Ka edhe raste, që janë më fatalet, të ardhjes me diagnozën e miokarditit. Ka edhe mosha të reja, 18–20 vjeç, të cilëve u është prekur miokardi apo muskuli i zemrës nga virusi,” shpjegon mjekja.

Së fundmi sëmundjet e zemrës që kanë pasojë infarktin janë vërejtur edhe në moshat nën 35-vjeçare. Për mjekët, dy janë simptomat që nuk duhet të injorohen.

Sëmundjet kardiake, ku peshën kryesore të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë e zë sëmundja arterosklerotike e zemrës, sëmundja arterokoronare, që ka pasojë infarktin apo vdekjen e papritur. 

Mbi 35 vjeç nuk është më e çuditshme që të vijnë me infarkte pulmonare. Dy simptoma kryesore që nuk duhen neglizhuar janë dhimbja e gjoksit, që mund të zgjasë me minuta, si dhe marrja e frymës,” këshillon mjekja kardiologe.

Mjekët u bëjnë thirrje për kujdes të shtuar pacientëve kardiakë, tek të cilët situata virusale mbart një risk të lartë.

Tashmë të kesh një problem kardiak nuk është më diçka jo e zakontë, pasi të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se afro 31 për qind e vdekjeve në botë ndodhin për shkak të një sëmundjeje kardiake.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button