“Vetëm dy gjini”/ Një ditë pas fjalimit të Trump, DASH mbyll faqen ku përzgjidhej gjinia “X” në pasaportë
Donald Trump firmosi urdhrin ekzekutiv që njeh vetëm dy gjini, mashkull dhe femër
Departamenti amerikan i Shtetit ka mbyllur website-in që informonte qytetarët për mundësinë e përzgjedhjes së gjinisë alternative në pasaportat amerikane.
Ky hap u ndërmor vetëm një ditë pasi presidenti Donald Trump firmosi urdhrin ekzekutiv që njeh vetëm dy gjini, mashkull dhe femër, duke përjashtuar njohjen zyrtare të personave transgjinorë.
Faqja e internetit informonte qytetarët se ata mund të zgjidhnin një nga tre opsionet e përcaktimit gjinor në pasaportat e tyre: mashkull (M), femër (F), ose një identitet të papërcaktuar apo alternative të shënuar me X. Në njoftim theksohej se për të ndryshuar përcaktimin e gjinisë, aplikantët nuk kishin nevojë të paraqisnin dokumentacion mjekësor. Tani, faqja në fjalë ridrejton përdoruesit në një seksion të përgjithshëm për informacionin mbi nxjerrjen e pasaportave.
Në urdhrin ekzekutiv të firmosur në ditën e parë në detyrë, Trump nënvizonte se qeveria federale do të njohë vetëm dy gjini, mashkull dhe femër, duke argumentuar se “ato janë të pandryshueshme dhe bazohen në realitetin themelor dhe të pakundërshtueshëm.”
Kjo lëvizje përmbys politikat e mëparshme që kishin zgjeruar në dokumentet zyrtare të drejtat e personave transgjinorë dhe jo-binarë, një term ky i përdorur kur një person nuk mendon se ai ose ajo është ekskluzivisht një grua ose burrë. Mbështetësit e Trumpit e kanë përshëndetur vendimin për të cilin thonë se i del në mbrojtje vlerave tradicionale dhe të familjes.