Zbulohen pllaka të lashta tektonike në mes të kontinenteve, ku nuk duhet të jenë
Disa gjëra në shkencë janë zhgënjyese pasi mbeten të paarritshme për vëzhgimin e drejtpërdrejtë njerëzor. Praktikisht, gjithçka përtej Sistemit tonë Diellor duhet të matet duke përdorur teknika të avancuara, ndërsa ndërlikimet e botës kuantike eksplorohen kryesisht përmes ndërmjetësve teknologjikë. Në të njëjtën mënyrë, misteret e përbërjes së planetit tonë shpesh janë po aq jashtë mundësive për t’u arritur.
Megjithatë, ashtu si astronomët dhe fizikanët kuantikë, gjeologët kanë zhvilluar metoda të shkëlqyera për të eksploruar objektin e fushës së tyre të studimit (brendësinë e planetit tonë) pa pasur nevojë për ndonjë instrument shumë të madh dhe të pamundur. Një nga këto metoda është instalimi i stacioneve sizmografike për të matur valët sizmike ndërsa ato përshkojnë Tokën, çdo moment i refraktimit, difraktimit dhe reflektimit të atyre valëve tronditëse na tregon diçka për brendësinë e planetit. Duke përdorur këtë metodë, shkencëtarët mund të zhvillojnë modele të brendësisë së Tokës që tregojnë se ku janë formuar pllakat e fundosura përgjatë zonave të subduksionit (kur një pllakë zhytet poshtë një tjetre).
Duke përdorur superkompjuterin Piz Daint në Lugano, Zvicër, dhe një teknikë të njohur si “inversion i valës së plotë” (që në thelb mbledh të gjitha valët në një model të madh), shkencëtarët nga Instituti i Teknologjisë në Kaliforni dhe ETH Zürich krijuan një model të ri me rezolucion të lartë të mantelit të poshtëm. Megjithatë, ajo që zbuluan në fillim nuk kishte fare kuptim. Modeli tregonte mbetje të pllakave të fundosura që ndodheshin nën oqeane dhe në mes të kontinenteve, të cilat, sipas kuptimit aktual të ciklit tektonik të pllakave, janë shumë larg çdo zone subduksioni. Rezultatet e studimit u publikuan në revistën Scientific Reports.
Një shembull i këtyre zonave ndodhet në Paqësorin Perëndimor, ku prania e një pllake të fundosur duhet të jetë e pamundur, pasi nuk ka pasur zonë subduksioni afër në historinë e fundit gjeologjike. E megjithatë, ky model i ri thekson qartë mbetjet e pllakave të fundosura. Andreas Fichtner, autori kryesor i studimit nga ETH Zürich, e krahason zbulimin me një mjek që gjen një enë të re gjaku falë teknologjisë së avancuar të imazherisë.
Me një mjet të ri dhe më të mirë ekzaminimi, mjeku papritur sheh një arterie në vithe që në të vërtetë nuk duhet të jetë atje,” tha Fichtner në një deklaratë për shtyp. “Kjo është pikërisht mënyra se si ndihemi për zbulimet e reja.”
Ndërsa ky zbulim i ka detyruar autorët të rishikojnë kuptimin tonë aktual të përbërjes së Tokës, ata kanë disa ide për atë që mund të jetë burimi i kësaj anomalie tektonike.
“Mund të jetë ose material i lashtë, i pasur me silic, që ka qenë aty që nga formimi i mantelit rreth 4 miliardë vjet më parë dhe ka mbijetuar pavarësisht lëvizjeve konvektive në mantel,” tha Thomas Schouten, autori kryesor i studimit nga ETH Zürich, në një deklaratë për shtyp, “ose zona ku shkëmbinj të pasur me hekur grumbullohen si pasojë e këtyre lëvizjeve të mantelit gjatë miliarda viteve.”
Megjithatë, një nga të metat e përdorimit të një metode të tërthortë të vëzhgimit është se shumë pyetje mbeten pa përgjigje, veçanërisht në lidhje me materialet që mund të ndikojnë këto shpejtësi të valëve sizmike. Studiuesit shpresojnë që modele edhe më të mira të mund të zbulojnë vetitë materiale që fshihen pas këtyre enigme të habitshme në thellësitë e Tokës. / The Jerusalem Post – Syri.net