Bëhuni gati! I ftohti polar mbërrin këtë fundjavë, pritet dëborë dhe në zonat e ulëta
Temperaturat e vjeshtës do ja lënë vendin atyre të dimrit këtë fundjavë dhe në vazhdim pasi pritet që të pësojnë rënie drastike. Në një lidhje direkte për Klan News, sinoptikanja Lajda Porja nga “MeteoAlb” thotë se duke filluar që nga mbrëmja e së shtunës do të kemi ndryshim të kushteve të motit pasi në vendin tonë do të depërtojnë masat e ftohta polare.
Lajda Porja: Na pret një fundjavë mjaft dinamike edhe pse dita e sotme duket si një ditë tipike vjeshte. Reshje të pakëta shiu në zonat qëndrore. Parashikohet që orët vijuese sjellin zhvillim të vranësirave duke sjellë reshje shiu në veri dhe në veri-perëndim. Reshje më të pakëta do të ketë qendra dhe jugu. Sot mbetet ngrohtë dhe era është kryesisht jugore dhe herë pas here forcohet. Duke filluar që nesër në mbrëmje do të kemi një ndryshim drastik të kushteve armosferike. Dita e shtunë do të sjellë depërtimin gradual të një mase të ftohtë polare, e cila do të zbresë drejt Gadishullit të Ballkanit dhe Shqipërisë duke sjellë menjëherë ndryshim të kushteve atmosferike. E shtuna do të ketë rënie me 2-3 gradë të temperaturave dhe nga vlerat mjaft të larta që kemi përjetuar pothuajse përgjatë gjithë javës deri në 18 apo 19 gradë, e shtuna do të ulë termometrin në 15 gradë.
Ditën e dielë parashikohet që temperaturat të pësojnë një rënie me 6 apo 7 gradë për shkak të masës së ftohtë. E diela do të jetë me reshje shiu dhe dëborë pothuajse në të gjithë territorin e vendit. Ndërkohë, dëbora pritet që të zbresë deri pranë zonës së ulët, kryesisht në atë të Mbishkodrës.