Pamjet e NASA-s zbulojnë vrimën e ozonit sa trefishin e madhësisë së SHBA-së
Shkencëtarët kanë raportuar se vrima e ozonit mbi polin jugor të Tokës shtrihet afro 20 milionë kilometra katrorë këtë vit, pothuajse tri herë më e madhe se ajo e Shteteve të Bashkuara, ndërsa njëkohësisht sinjalizon përparim premtues në përpjekjet globale për rimëkëmbjen e mjedisit.
Vrima e ozonit arriti shtrirjen e saj maksimale prej 22.4 milionë kilometrash katrorë me 28 shtator, duke shënuar atë që studiuesit e përshkruajnë si një zbrazje relativisht të vogël në krahasim me matjet historike.
Shtresa e ozonit, një mburojë kritike atmosferike, mbron Tokën nga rrezatimi i dëmshëm ultravjollcë. Zonat e varfëruara të ozonit lejojnë rritjen e ekspozimit ndaj dritës ultravjollcë, e cila mund të çojë në shkallë më të lartë të kancerit të lëkurës, reduktim të prodhimeve bujqësore dhe dëmtim të ekosistemeve delikate.
Vrima e këtij viti renditet si e shtata më e vogël që nga fillimi i rimëkëmbjes në 1992, pas zbatimit të Protokollit të Montrealit, një marrëveshje ndërkombëtare e krijuar për të hequr gradualisht kimikatet që shkatërrojnë ozonin.
“Vrima e Antarktidës 2024 është më e vogël se vrimat e ozonit të parë në fillim të viteve 2000,” tha Paul Newman, drejtuesi i ekipit të kërkimit të ozonit të NASA-s dhe kryeshkencëtar për shkencat e Tokës në Qendrën e Fluturimeve Hapësinore të NASA-s Goddard, në një deklaratë.
“Përmirësimi gradual që kemi parë në dy dekadat e fundit tregon se përpjekjet ndërkombëtare që frenojnë kimikatet që shkatërrojnë ozonin po funksionojnë,” tha ai.
Reduktimi aktual në vrimën e ozonit rrjedh nga një kombinim i uljes së niveleve të klorofluorokarbonit (CFC) dhe infuzioneve të papritura të ozonit nga rrymat e ajrit në veri të Antarktidës. Protokolli i Montrealit, i nënshkruar në vitin 1987, luajti një rol vendimtar duke i detyruar vendet në mbarë botën të zëvendësojnë kimikatet e dëmshme me alternativa miqësore me mjedisin deri në vitin 2010.
Nga mesi i viteve 1980, shtresa e ozonit ishte holluar ndjeshëm, duke lënë zona të mëdha të stratosferës së Antarktidës pothuajse pa ozon deri në fillim të tetorit të çdo viti.
Burimet kryesore të CFC-ve që shkatërrojnë ozonin përfshijnë ftohësit e përdorur në frigoriferë dhe kondicionerë, së bashku me aerosolet që gjenden në produkte si llaku i flokëve, antidjersa dhe bojërat me spërkatje. Për më tepër, prodhimi i shkumave izoluese dhe sistemeve të caktuara industriale të shuarjes së zjarrit lëshuan këto kimikate të dëmshme në atmosferë.
Stephen Montzka i Laboratorit Global të Monitorimit të NOAA tha në një deklaratë se ndërsa matjet e vitit 2024 janë inkurajuese, “shtresa e ozonit është ende larg nga rikuperimit i plotë”.
Studiuesit vazhdojnë të monitorojnë shtresën e ozonit duke përdorur instrumente të sofistikuara në satelitin Aura të NASA-s, satelitët NOAA-20 dhe NOAA-21 dhe satelitin Suomi NPP. Të dhëna shtesë vijnë nga balonat e motit të lëshuar nga Observatori Atmosferik i Polit të Jugut, i cili regjistroi përqendrimin më të ulët të ozonit prej 109 njësi Dobson më 5 tetor.
Shkencëtarët parashikojnë se nëse tendencat aktuale vazhdojnë, shtresa e ozonit mund të rikuperohet plotësisht deri në vitin 2066, duke shënuar një triumf të rëndësishëm të bashkëpunimit ndërkombëtar mjedisor dhe novacionit shkencor./OraNews