Lajme

Shqipëria anëtare e BE-së në 2027? Ambasadori: Ekziston një mundësi për të përshpejtuar procesin

“Shqipëria mund të çelë të gjithë grupkapitujt deri në fund të 2025”

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato ka dalë sot në konferencë për mediat me kryeministrin Edi Rama, një ditë pas publikimit të raportit të Komisionit Europian.

Në fjalën e tij, ai ka nënvizuar disa nga përfundimet dhe ka folur për disa nga çështjet kyçe. Gonzato tha se nëse përshpejtohen reformat, Shqipëria mund të çelë të gjithë grupkapitujt deri në fund të 2025. Ai tha dhe një mesazh të qartë për situatën e polarizuar politike.

“Raporti njeh plotësisht faktin se Shqipëria është në harmonizim të plotë me politikën e jashtme të BE-së. Komisioni sheh një mundësi që të përshpejtohet procesi i anëtarësimit në BE. Nëse hapi i reformave përshpejtohet, Shqipëria mund të çelë të gjithë grupkapitujt deri në fund të 2025. Komisioni deklaron se është gati të mbështesë objektivin ambicioz të Shqipërisë për të mbyllur negociatat deri në 2027. Raporti i 2024 për Shqipërinë ofron orientim të rëndësishëm, rekomandimet dhe masat për vitin që vjen.

Sa i përket kriterit politik, raporti vlerëson funksionimin e institucioneve demokratike si pjesërisht e kënaqshme, kryesisht për shkak të situatës thellësisht të polarizuar politike që ndikon negativisht në aftësinë e parlamentit për të luajtur rolin e vet kyç ligjvënës dhe të mbikëqyrjes dhe rezulton po kështu dhe në vonesa në emërimin e individëve në poste kyçe. Po kështu dhe për shkak të mangësive të patrajtuara në procesin zgjedhor dhe mungesës së konsultimeve kuptimplota publike. Mesazhi kryesor këtu është nevoja urgjente për të rindërtuar një dialog konstruktiv gjithëpërfshirës politik dhe kjo është thelbësore për sistemin demokratik të Shqipërisë, por gjithashtu edhe për mundësinë për të realizuar reformat e lidhura me BE.

Funksioni i gjyqësorit, komisioni vëren disi progres në këtë fushë, sidomos me afrimin drejt fundit të procesit të ‘Vetting’-ut që është një gur themeli kryesore. Shqetësimet mbeten për sa i përket orvatjeve për ndërhyrje dhe trysni politike në sistemin gjyqësor si dhe mangësi sa i takon emërimeve bazuar në meritë të anëtarëve jo magjistratë në KLGJ dhe KLP. Raporti jep rekomandime specifike për të trajtuar këto çështje”, tha ndër të tjera Gonzato./gsh

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button