Çfarë ndodhi në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, replikat mes Gërvallës dhe Gjuriçit
Të mërkurën është mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku është diskutuar për raportin gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për misionin e OKB-së në Kosovë.
E në mbledhjen e KS-së së OKB pati një përplasje ndërmjet ministres së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla dhe ministrit të Serbisë, Marko Gjuriç.
Në këtë mbledhje, SHBA-ja kërkuan nga Serbia që përgjegjësit e Banjskës të dalin para drejtësisë, ndërsa u tha se SHBA-të po punojnë me aleatët për uljen e tensioneve dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, përfshirë atë për Asociacionin.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, tha se serbët e Kosovës po diskriminohen dhe po shtypen nga autoritetet e Kosovës.
Gjuriq u ankua se serbët po përballen me diskriminim, dhunë dhe shtypje, duke përmendur disa nga vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, sikurse ndalimi i përdorimit të dinarit serb për pagesa me para të gatshme, mbyllja e degëve të Postës së Serbisë dhe komunave që punonin sipas sistemit serb.
Por, këto akuza u hodhën poshtë nga kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, shkruan REL. Gërvalla mbrojti veprimet e Qeverisë së Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe, që komuniteti ndërkombëtar i ka cilësuar si veprime të njëanshme.
Ajo tha se nuk duhet t’iu besohet pretendimeve të Gjuriqit se serbët në Kosovë nuk kanë qasje në shëndetësi, arsim dhe llogari bankare.
“Realiteti është i qartë. Përfundimisht qytetarët po marrin frymë lirshëm dhe pa frikë nga bandat kriminale”, tha ajo.
Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriç, po ashtu kërkoi që Kosova të themelojë menjëherë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, që tha se do të garantonte të drejtat e serbëve.
Gjuriq po ashtu tha se Kosova nuk do që ta themelojë këtë asociacion, që tha se nuk është opsion, por obligim nga dialogu i Brukselit.
Por, Gërvalla tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk është i interesuar që Asociacioni të lehtësojë jetën e serbëve të Kosovës.
Gërvalla: Serbia është e interesuar ta shkatërrojë shtetin e Kosovës
Gjatë adresimit të saj në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, ka thënë se sulmi terrorist i 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ishte test për Perëndimin, test për ato që pritet të vijnë.
“Sulmi i Serbisë më 24 shtator të vitit të kaluar është planifikuar si invazion ushtarak dhe aneksim i një vendi paqësor me mijëra trupa të NATO-s. Për ta bërë të qartë këtë, ky ishte sulmi i parë i aleancës së Putinit ndaj një vendi me prezencë të NATO-s, është test për Perëndimin, test për ato që pritet të vijnë”, tha gjatë fjalës së saj shefja e diplomacisë kosovare.
Tutje tha ajo se Vuçiçi e Putini nuk janë dorëzuar.
“Prandaj na duhet zmbrapsja e tyre pikë së pari e pastaj dialogu. Vetëm me zmbrapsje të tillë mund të kemi paqe e siguri, sepse kur Vuçiqi e Gjuriqi e të tjerë në Serbi thonë dialog, nuk e kanë këtë në mendje. Nuk kanë ndonjë interesim në dialog, thjesht kanë interes të shkatërrojnë Republikën e pavarur të Kosovës dhe atë me forcë. Askush nuk mund të mashtrohet, kjo është dëshmuar tashmë dhe do ta provojnë prapë. Kështu, Kosova është falënderuese për NATO-n për ngritjen e numrit të trupave për ta zmbrapsur Serbinë nga agresioni i radhës. Ministri i mbrojtjes i Serbisë që përgatiti sulmin paramilitar për më shumë se një vit, mori ngritje në detyrë nga Vuçiqi, tani ai është kryeministër i ri i Serbisë. Presidentja e KE-së refuzoi ta takonte për shkak të lidhjeve të tij aktive me Rusinë”, shtoi Gërvalla, transmeton RTK.
“Kosova kërkon ekstradimin e tij, ai është përgjegjës për vrasjen e zyrtarit tonë policor, heroit tonë kombëtar, toger, Afrim Bunjaku. Këtë Gjuriqi e di shumë mirë nga vitet e tij të shumta si dorë e djathtë e Vuçiqit në luftën kundër Kosovës gjatë viteve 2013-2020. Gjuriq dhe Radoiçiq vrasësi ishin aleat në shtypjen e qytetarëve serb të ndershëm që dëshironin vetëm jetë normale. Gjuriqi ishte kryesori kur Radoiçiqi u angazhua në vrasjen e politikanit më të shquar serb Oliver Ivanoviq që u vra para derës së tij. Dhe Gjuriqi takohej me të prapë, tash së voni duke pirë kafe në Beograd me të njëjtin kriminel e terrorist. E kjo tregon llojin e karaktereve me të cilët ballafaqohemi. Kush këtu është në rregull që të pihet kafe me një vrasës brutal”, tha Gërvalla derisa shpalosi edhe fotografinë e një takimi mes Gjuriqit e Radoiçiqit.
Gërvalla e ka quajtur secilën fjali të Gjuriqit në këtë seancë si gënjeshtër.
“Çfarë dëgjuam këtu sot janë aq shumë gënjeshtra sa që është e pamundur të demantojmë secilën prej tyre në këtë kohë kaq të shkurtër që jemi këtu. Shumica prej jush keni ambasada në Republikën e Kosovës që ju konfirmojnë që asnjë nga këto deklarata të Gjuriqit nuk janë të vërteta. Të jemi të qartë, të mos e besojmë asnjë gënjeshtër të tillë të çmendur që qytetarët e Kosovës nuk paskan qasje në shëndetësi, llogari bankare apo shërbime lokale. Realiteti është i qartë. Kemi shumë qytetar serb në komunat veriore të Republikës së Kosovës që na thonë me kënaqësi që përfundimisht kanë arritur të marrin frymë lirshëm pa frikë e që arrijnë të regjistrojnë fëmijët në komunë pas shumë vitesh”, tha ajo.
Gërvalla tha se në pjesën veriore të Kosovës është krijuar diçka e re, diçka e çmuar që sipas saj është normaliteti, lufta ndaj krimit, sundimi i ligjit në vend të sundimit të bandave kriminale të sponsorizuara nga Beogradi.
“Shërbime normale komunale në vend të keqpërdorimit të fondeve publike. Kemi krijuar atë që vendet tuaja demokratike me përvojë i ofrojnë për një kohë shumë të gjatë qytetarëve tuaj. Shërbim publik të përgjegjshëm e transparent. Do të vazhdojmë të mbrojmë qytetarët tanë e të zgjerojmë spektrin e shërbimeve që ata meritojnë të cilët nuk i kanë parë për aq shumë vite. Jo vetëm populli në Kosovë që është i ngopur me gënjeshtra të tilla, ka një arsye pse Vuçiqi po humb ndikimin mbi qytetarët serbët të Kosovës. Nëse ata nuk e besojnë propagandën e tij, askush nuk duhet ta besoj”, tha kryediplomatja e Kosovës.
SHBA-ja kërkon që përgjegjësit e Banjskës të dalin para drejtësisë
Ambasadori amerikan në OKB, Robert Wood, kritikoi Serbinë se nuk ka bërë mjaftueshëm që përgjegjësit e sulmit në Banjskë të përballen me drejtësinë.
“Ka kaluar më shumë që nga sulmi paramilitar serb ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë dhe Serbia nuk ka bërë asnjë përparim të dukshëm për të mbajtur përgjegjës, përfshirë liderin e vetëshpallur të këtij sulmi Milan Radoiçiq. Ne kërkojmë përgjegjësi të plotë”, tha ai.
Ai po ashtu tha se SHBA-ja është e shqetësuar me veprimet e #pakoordinuar të Qeverisë së Kosovës, që nuk përkojnë me zotimet e Kosovës që të punojë në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja”.
“Këto veprime prekin mirëqenien e komuniteteve jo shumicë dhe minojnë rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Wood, transmeton REL. Duke folur për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ai tha se është e vetmja rrugë për anëtarësimin e palëve në institucionet evropiane.
Wood tha se SHBA-ja po punon me aleatët për uljen e tensioneve dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, përfshirë atë për Asociacionin.
“Qëllimi i SHBA-së mbetet njohja e ndërsjellë”, tha ai.
Zhbogar: Serbia të ndihmojë në hetimin e ngjarjeve në Banjskë
Ambasadori slloven në Nju Jork, Samuel Zhbogar, gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e KS të OKB-së mbi raportin e UNMIK-ut për Kosovën, ka kërkuar nga Serbia që të ndihmojë në hetimin e sulmit terrorist në Banjskë.
Zhbogar kërkoi gjithashtu një aderim më të fortë të Kosovës dhe Serbisë ndaj marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, duke dënuar retorikën ndezëse dhe lëvizjet e pakujdesshme.
“Rruga drejt paqes dhe bashkëjetesës nuk mund të bazohet në teorinë e lojës pa fitore apo fitoreve afatshkurtra. Progresi i tillë kërkon përkushtim dhe kompromis”, tha diplomati slloven./SYRI.net