Bota

Mbi 95 viktima nga përmbytjet në Spanjë, alarm edhe në Barcelonë

Vijon të përkeqësohet bilanci i viktimave si pasojë e përmbytjeve nga reshjet e rrëmbyeshme të shiut që përfshinë rajonet e Valencias dhe Castilla-La Mancha. Mediat vendase raportojnë se të paktën 95 persona, 92 në Valencia, dy në Castilla-La Mancha dhe një në provincën e Malaga, kanë vdekur, shumë janë të zhdukur dhe dëmet janë të pallogaritshme nga stuhia që tani mund të godasë provincën e Barcelonës.

Numri i të vdekurve, i cili vazhdon të rritet, është ende i përkohshëm, ndërsa qeveria spanjolle shpalli tre ditë zie kombëtare.

“Aktualisht nuk mund të japim të dhëna zyrtare për personat e zhdukur për shkak të përmbytjeve në Valencia dhe zona të tjera në lindje të vendit iberik. Kjo dëshmon përmasat e jashtëzakonshme të kësaj tragjedie”, shpjegoi Ministri për Politikat Territoriale, Ángel Victor Torres, pas një takimi të njësisë së krizës të aktivizuar për menaxhimin e emergjencës.

Operacionet e shpëtimit vazhdojnë në jug dhe lindje të vendit, por janë penguar nga linjat e rrëzuara të energjisë që kanë ndërprerë furnizimin me energji elektrike, si dhe rrjetet telefonike dhe rrugët e shembura që mbeten të pakalueshme. Komuniteti i Valencias ka aktivizuar një numër telefoni për të raportuar familjarët për të cilët nuk ka asnjë lajm (900365112).

Shirat e rrëmbyeshëm janë shkaktuar nga Dana, fenomeni meteorologjik me reshje të dendura shiu dhe erëra, që goditën Spanjën në 48 orët e fundit.

Autoritetet spanjolle thonë se sasia e shiut që bie në një vit ra në Valencia në tetë orë, ndërsa në vend kanë shpërthyer polemikat politike mbi menaxhimin e emergjencës/A2 CNN

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button