Tatimet: 20 nëntori, afati i dorëzimit të të dhënave të pronësisë dhe kontratës së qirasë
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën të ditur se vendosi shtyrjen e afatit të dorëzimit të të dhënave të pronësisë dhe kontratës së qirasë për vendin e ushtrimit të aktivitetit ekonomik në e-Filing deri më 20 nëntor 2024.
Sipas DPT-së, gjatë këtyre ditëve do të vijojë puna për përmirësimin e modulit për ta bërë më të thjeshtë deklarimin për tatimpaguesit, ndërkohë që ata vetë do të duhet të përditësojnë informacionin e kërkuar.
DPT publikon edhe hapat që duhen ndjekur për përditësimin e të dhënave.
Depozitimi apo përditësimi i këtyre të dhënave, nga llogaria personale në e-Filing, duhet të plotësohet nga çdo tatimpagues, për adresën kryesore si dhe çdo adresë sekondare, nëse ka.
Ky informacion shërben për përllogaritjen e saktë të tatimit në burim si dhe për krijimin e mundësisë për parambushjen e deklaratës së të ardhurave personale, për individët subjekt deklarimi.
DPT sjell në vëmendje se mosdhënia e këtij informacioni konsiderohet kundërvajtje administrative.
Afati mbi statusin e pronësinë ose jo, të vendit të ushtrimit të aktivitetit ekonomik, si dhe të dorëzimi i dokumentacionit përkatës që e vërteton këtë, ishte data 20 tetor./OraNews