Rritet çmimi i koranit në Pogradec, peshkatarët e shesin 3500 lekë kilogramin
Pogradeci është një prej destinacioneve më interesante turistike të vendit dhe çdokush që zgjedh qytetin buzë liqenit të Ohrit për të pushuar, provon edhe një prej gatimeve tipike të zonës, peshkun e koranit.
Por numri i rritur i turistëve dhe kërkesa e lartë ka çuar në rritjen e çmimit të koranit nga 2 mijë lekë që ishte një vit më parë në 3 mijë deri në 3.500 lekë.
“Si me çdo produkt tjetër ndodh edhe me koranin, është rritur kërkesa, ka pasur më shumë kërkesë të lokaleve e restoranteve për shkak të turistëve dhe është rritur edhe çmimi i koranit”, thotë peshkatari Martin Jaçe.
Rritja e çmimit nga peshkatarët është pasuar me rritjen e çmimit në restorante, pasi tava me koran që është karakteristike për zonën mbetet më e kërkuara nga turistët.
“Ka pasur një rritje të çmimit të koranit bazuar edhe nga mungesa e tij në treg dhe kërkesa ka qenë shumë e lartë. Një kile koran i gatuar ka shkuar në 5 mijë lekë deri në 5.500 lekë”, thotë Eduart Likollari, pronar restoranti.
Por, a vazhdojnë ta kërkojnë turistët?
“Po, edhe pse mendojnë që çmimi është pak i lartë, por ne mundohemi t’u shpjegojmë se është produkt gjahu.”
Pavarësisht rritjes së çmimit të peshkut koran, Pogradeci mbetet një prej destinacioneve më ekonomike për të pushuar, me çmimet që përgjithësisht nuk kanë njohur rritje./vizionplus.tv