Ja sa rritet rreziku nga kanceri, nëse konsumoni 7 apo 14 gota me alkool në javë…
Ekspertët nga Cancer Research UK (CRUK) dhe Instituti Kombëtar i Kancerit i SHBA (NCI) pajtohen se alkooli kontribuon në zhvillimin e të paktën shtatë llojeve të ndryshme të kancerit, duke përfshirë gjirin dhe zorrën.
Megjithatë, një raport i ri bën të ditur se shumica e njerëzve nuk janë të vetëdijshëm për rrezikun.
Ekspertët në Shoqatën Amerikane për Kërkimin e Kancerit zbuluan se më shumë se gjysma (51 për qind) e njerëzve në SHBA nuk e dinë se alkooli rrit rrezikun e kancerit.
Diku tjetër, si në Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë, hulumtime të tjera kanë treguar se ndërgjegjësimi publik mund të jetë edhe më i ulët.
Ndoshta kjo nuk është shumë befasuese duke pasur parasysh debatin në rritje brenda komunitetit shkencor gjatë viteve të fundit rreth asaj se sa alkool është vërtet ‘i sigurt’ për t’u konsumuar.
Një gotë verë e kuqe nuk është e mirë për zemrën tonë? A nuk janë një ose dy gota të mira për t’u relaksuar dhe për të reduktuar ënjtjet e dëmshme dhe dëmtimet në enët e gjakut?
Edhe nëse kjo mund të jetë e vërtetë, një raport i publikuar në faqen e internetit të NCI, sugjeron se mjafton vetëm një gotë në ditë për të rritur rrezikun e disa llojeve të kancerit, duke sfiduar idenë se një gotë verë në darkë është ‘mirë’.
Dr Therese Bevers, drejtoreshë mjekësore e Qendrës së Parandalimit të Kancerit të MD Anderson tha se “gjëja e rëndësishme që duhet mbajtur mend është se sa herë që pini, rritni rrezikun e kancerit. Ashtu si me cigaret dhe mishin e përpunuar, nuk ka asnjë sasi të sigurt alkooli”.
Për shkak se pirja është kaq e zakonshme, studiuesit në NCI kanë filluar të gjurmojnë tendencat në zhvillim, që lidhin alkoolin me disa lloje kanceri.
Ata zbuluan se nëse jeni një grua që pi shtatë gota në javë ose një burrë që pi 14 në javë – i njohur ndryshe si një konsumues i moderuar – rreziku i zhvillimit të kancerit të gojës dhe fytit është 1.8 herë më i lartë se ata që nuk pinë pije.
Pragu është më i lartë për meshkujt pasi ata zakonisht përpunojnë alkoolin më shpejt se femrat, kështu që i prek ata ndryshe, tha Dr Therese.
Raporti përcakton një gotë 350 ml (12 ons) birrë, një gotë alkool ose 145 ml verë.
Për të njëjtën sasi të pijeve alkoolike, rreziku juaj për të zhvilluar kancer në kutinë e zërit është 1.4 herë më i lartë se njerëzit që nuk pinë.
Meshkujt që pinë 15 ose më shumë gota në javë dhe gratë që pinë tetë ose më shumë në javë – të njohur ndryshe si pijetarë të rëndë – kanë një rrezik 2.6 herë më të lartë për të zhvilluar sëmundjen.
Të njëjtat grupe kanë një rrezik pesë herë më të madh të zhvillimit të kancerit të gojës dhe fytit.
Pirja e një sasie të moderuar të alkoolit rrit rrezikun për zhvillimin e kancerit të ezofagut – tubit që lidh fytin me stomakun – me 1.3 herë më shumë sesa mos prekja e pijeve alkoolike.